Pas një bisede telefonike me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen njoftoi se mbeten të përkushtuar për zbatimin e plotë të marrëveshjes së dakordësuar me SHBA.

Në një postim në X, ajo e përshkroi bisedën me Presidentin e SHBA si të kënaqshme, ndërsa shtoi se “bëhet përparim i mirë drejt uljes së tarifave deri në fillim të korrikut.”

“Pata një telefonatë shumë të mirë me Donald Trump. Diskutuam situatën në Lindjen e Mesme dhe koordinimin tonë të ngushtë me partnerët rajonalë.

Jemi të bashkuar që Irani nuk duhet të zotërojë kurrë një armë bërthamore. Zhvillimet e fundit kanë treguar qartë se rreziqet për stabilitetin rajonal dhe sigurinë globale janë shumë të mëdha.

Diskutuam gjithashtu marrëveshjen tregtare BE-SHBA. Mbetemi plotësisht të përkushtuar, nga të dyja palët, për zbatimin e saj. Po bëhet përparim i mirë drejt uljes së tarifave deri në fillim të korrikut.“, shkroi ajo.

Më herët, presidenti amerikan njoftoi se po i jep Bashkimit Evropian një afat deri më 4 korrik për të zbatuar marrëveshjen tregtare të arritur me Shtetet e Bashkuara.

Në fund të marsit, Parlamenti Evropian miratoi, me kushte, marrëveshjen tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe BE-së të arritur verën e kaluar në Turnberry, Skoci.

Megjithatë, procedurat e brendshme të BE-së kërkojnë negociata midis Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së për të ratifikuar marrëveshjen tregtare me SHBA-në, përpara zbatimit të saj formal.