Për të dytën ditë radhazi, turistët që kanë mbërritur në Durrës me kroçerën “Ocean Majesty” janë nisur të organizuar me autobusë për të vizituar qytetet historike dhe muzeale të vendit tonë.
Kroçera që u ankorua në portin e Durrësit dje në orët e para të ditës, do të qëndrojë në portin më të madh të vendit deri në mbrëmjen e ditës së martë, kur do të lundrojë drejt Sarandës.
Në bordin e saj ndodhen 444 turistë, 432 prej të cilëve nga Hollanda. Anija turistike me gjatësi 135 metra dhe me një personel prej 214 vetësh ishte nisur drejt Durrësit nga porti i Barit (Itali), mësohet nga Qendra e Informacionit në APD.
Gjatë qëndrimit në vendin tonë turistët e huaj po vizitojnë qytetin bregdetar dhe qendrat muzeale e arkeologjike të tij, ndërsa pjesa tjetër të organizuar me autobusë po vizitojnë qytetet e Tiranës, Beratit dhe Krujës.
Kroçera “Ocean Majesty” i ka nisur lundrimet drejt Durrësit tetë vjet më parë.