Turistët nga SHBA, Franca dhe Gjermania kanë qenë vizitorët më të shumtë me kroçera në portin e Durrësit.
Nga të dhënat statistikore, si dhe nga agjencitë e lundrimit në Durrës, mësohet se nga 4,503 turistë të huaj të cilët kanë mbërritur me kroçera dhe më pas kanë vizituar Durrësin e qytetet e tjera pranë tij, më shumë se 1,800 kanë qenë amerikanë, ndërsa vendin e dytë dhe të tretë e zenë turistët nga Franca me 1,000 vizitorë dhe ata nga Gjermania me rreth 650.
Veç 19 krocerave dhe velierëve me përmasa të ndryshme që vizituan portin më të madh të vendit gjatë këtij viti, në kalatat e tij janë akostuar edhe 424 jahte me turistë nga më shumë se 40 vende të botës.
Nga të dhënat e Qendrës së Informacionit në APD, mësohet se për vitin e ardhshëm kanë prenotuar deri tani lundrimin dhe qëndrimin në port 18 kroçera dhe veliera, një pjesë e të cilëve e kanë vizituar Durrësin edhe gjatë sezonit turistik që sapo u mbyll.