Për shumë njerëz është e njohur legjenda e grave të Sulit. Për të mos u çnderuar nga ushtarët e Ali Pashë Tepelenës pesëmbëdhjetë suliote, pas një lufte të pabarabartë, u vetëfijuan duke rënë në një greminë në vendin e quajtur Manastiri i Vatërnicës, diku në jug të Shqipërisë. Ngjarja që mendohet të ketë ndodhur në vitin 1804, vazhdon të përmendet edhe sot, madje, gjatë viteve, kësaj ngjarjeje i janë kënduar këngë e është shkruar shumë për të.

Por, jo shumë njerëz e dinë se një veprim të tillë si të grave suliote e kanë bërë edhe 5 vajza gjakovare dhe atë 100 e ca vjet më herët sesa ngjarja e Vatërnicës.

Sipas legjendës, që tregohet nga të vjetrit, ngjarja me vajzat gjakovare mendohet të ketë ndodhur në vitin 1689, në kohën e luftës austro-turke. Teksa 5 vajzat e familjes Bejtullahu po lanin rrobat në oborrin e shtëpisë, në lagjen “Hankë”, njëra nga lagjet e vjetra të qytetit, brenda kishin hyrë ushtarët austriakë, të cilët kishin dashur t’i çnderonin ato.

Duke e pranuar vdekjen para çnderimit, vajzat kishin luftuar fyt për fyt me ushtarët në një luftë tejet të pabarabartë, ndërsa në momentin kur e kishin kuptuar se po i linin forcat dhe kundërshtarët ishin gati ta arrinin qëllimin e tyre, ato kishin vendosur të përvëloheshin për së gjalli në ujin e nxehtë në kazanët që po i lanin rrobat.

Varret e çikave, një vend i shenjtë

Vajzat e përvëluara janë varrosur në 5 varre të veçanta në një kënd të oborrit, oborr në të cilin edhe sot e asaj dite vazhdojnë të jetojnë pasardhësit e familjes Bejtullahu.

Varret vazhdojnë të jenë të mbajtura mirë edhe sot, ndërsa në të dy anët e tyre është i vendosur nga një gur i bardhë, sa për të shënuar vendin e varrit.

“Legjenda e çikave dhe e këtyre varreve është bartur brez pas brezi jo vetëm në familjen tonë”, tregon e zonja e shtëpisë, Mandushe Bejtullahu, e cila në ndjekje të traditës familjare, edhe sot vazhdon të përkujdeset për varret e vajzave. “Dushi”, siç njihet ndryshe e zonja e shtëpisë, një mësuese në pension, e tashmë në moshën 77-vjeçare, tregon se qytetarët e Gjakovës edhe sot e asaj dite e respektojnë flijimin e vajzave.

“Besohet se dita kur ka ndodhur ngjarja ka qenë ditë e mërkurë, prandaj edhe sot me qindra familje gjakovare që besojnë në këtë ngjarje nuk e praktikojnë larjen e rrobave ditëve të mërkura. Kjo dukuri është prezente sidomos në lagjen tonë”, tregon ajo.

Por, fundi tragjik i vajzave të familjes Bejtullahu është fillimi i një historie që vazhdon të ketë efekte edhe sot e kësaj dite.

“Varret e çikave janë shndërruar në tyrbe dhe ky vend në tërë Gjakovën njihet si ‘Tyrbja e çikave’. Çdo ditë këtu vijnë njerëz hallexhinj, të cilët shpresojnë se në këtë vend do të gjejnë prehje, ndihmë e shpëtim”, thotë Dushi, për të dëshmuar se në shumë raste vizitorët kthehen pas një kohe.

“Njerëzit vijnë për lloj-lloj dertesh dhe, pasi bëjnë zijaret, unë i uroj ‘Zoti ju maroftë myradin’ (ju plotësoftë dëshirën). Ka raste kur pas një kohe të njëjtit njerëz vijnë të buzëqeshur dhe të kënaqur, pasi hallet e problemet e tyre janë zgjidhur”, vazhdon të tregojë ajo.

Histori të pabesueshme

Dushi dhe banorë të tjerë të lagjes, tregojnë me dhjetëra raste e histori që lidhen me vajzat e vetëflijuara, histori të cilat për dikë janë të besueshme e për disa të tjerë janë shumë paragjykuese. Prej shumë vitesh, përveç gjatë ditës, kur shoqëron shumë mysafirë, ajo çdo natë ndez një dritë tek varret, ndërsa në një vend të ndërtuar me llamarinë ajo vendos edhe qirinj.

“Nëse nuk u ndezim dritën, ato do të vijnë dhe do të na trokasin në derë”, tregon ajo. Dhe jo vetëm kaq. Ato, sipas zonjës Bejtullahu, paraqiten edhe në shumë raste të tjera. “Njerëzit që u janë ‘paraqitur’ thonë se ato janë shumë të bukura, sikur vajzat të kohës së kaluar me bistekë”, tregon ajo.

Mirëpo, në këto varre besojnë edhe mijëra qytetarë që dalin e hyjnë në pronën e kësaj familjeje.

Ismaili, një fqinj i familjes Bejtullahu, gjithashtu tregon shumë histori të dëgjuara dhe kuriozitete interesante që janë transmetuar me breza. “Thuhet se më herët çdo natë te varret është dërguar një bakall me plot ujë dhe të nesërmen ai është gjetur i zbrazët. Kjo praktikë ka ndodhur çdo ditë”, thotë ai.

Ngjarje të tilla tregon sot edhe e zonja e shtëpisë, Dushi. “Çikat nuk kanë dëshirë t’u bëhet muzikë afër, kjo është vërtetuar një herë. Para shumë vjetësh në oborrin tonë ishte organizuar një aheng. Dasmorët me defa në duar po këndonin afër dardhës”, tregon ajo duke bërë me dorën nga një trup peme që sipas saj ka 150 vjet.

“Mirëpo, menjëherë në pemë kanë filluar të shfaqen gjarpërinj dhe bolla. Kjo është një ngjarje më se e vërtetë”, këmbëngul zonja Bejtullahu.

Dy luftëra të ngjashme

Por, historia e “Tyrbes së çikave” nuk përfundon këtu. Sipas familjarëve, vajzat që u flijuan në një luftë, tre shekuj më parë, kanë pasur ndikim edhe në luftën e fundit në Kosovë. Zonja Mandush tregon se gjatë luftës vajzës së saj i janë shfaqur në ëndërr çikat dhe e kanë “siguruar”, atë të mos kenë frikë, pasi armiku nuk do të vijë në shtëpinë e tyre. Kjo, sipas saj, bëhet edhe më bindëse, pasi të gjitha pronat e fqinjëve të saj janë djegur, ndërsa e vetmja shtëpia e tyre ka shpëtuar pa asnjë të keqe.

“Tmerret e asaj kohe në këtë rrugë janë përsëritur edhe gjatë luftës së fundit, kur në këtë lagje janë vrarë shumë veta, ndërsa janë djegur shumë shtëpi”, tregon Selimi, i biri i zonjës Mandushe.

Masar Rizvanolli, një historian i njohur në Gjakovë dhe ndër të paktit që ka shkruar për këtë histori, thotë se këto varre kanë një rëndësi të veçantë kulturore, fetare, por edhe historike.

“Heroizimin e çikave të Gjakovës që i përjetësoi popullata e kësaj treve duke iu shndërruar varret e tyre në tyrbe, përmban në vete mesazhe largpamëse për brezin e ardhshëm. Ato kanë shërbyer si burim frymëzimi i rinisë në luftën e tyre çlirimtare kundër pushtuesve të saj sa herë që vendi ishte në rrezik. Çikat dhe gratë e Gjakovës treguan shumëherë heroizmin e tyre sa herë që vendi ishte në rrezik në periudhë të ndryshme të kohës”, ka thënë Rizvanolli.

Ai ka shtuar se “Tyrbja e çikave” pos karakterit dhe rëndësisë fetare, paraqet edhe një përmendore kulturore e historike, e cila dëshmon për një periudhë të rëndë nëpër të cilën kaloi popullata e kësaj treve. “Kjo paraqet dëshmi materiale për ekzistencën e popullsisë shqiptare në Kosovë edhe para dyndjes së madhe serbe, e cila, sipas disa historianëve romantikë serbë, shkaktoi zbrazjen e Kosovës nga popullsia serbe”, ka përfunduar Rizvanolli.

Ai është duke përgatitur një punim shkencor për këtë qëllim të cilin shpreson ta prezentojë shumë shpejt.