Policia e Klosit ka arrestuar drejtuesin 44-vjeçar të kompanisë së kromit në Qafën e Burrelit.
Uniformat blu bëjnë me dije se A.L., akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi një ditë më parë (3 maj 2025) një masiv stoku kromi që grumbullohej nga përpunimi i këtij minerali është shembur, duke marrë me vete një fadromë me të cilën po punonte punëtori 29-vjeçar, A.B.
Mësohet se po vazhdojnë punimet për gjetjen e tij.
Njoftimi i Policisë Burrel:
Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me ngjarjen e djeshme në Qafën e Burrelit, në fabrikën e përpunimit të kromit, ku shtetasi A.B., 29 vjeç, duke punuar me mjetin fadromë, u zu poshtë nga një masiv rëre dhe minerali, dhe për pasojë ende nuk është gjetur, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Postës së Policisë Klos arrestuan në flagrancë shtetasin A.L., 44 vjeç, banues në Klos, me detyrë drejtues teknik i shoqërisë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë dhe ekipi i kërkim-shpëtimit po vijojnë intensivisht punën për gjetjen e shtetasit A.B.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.