Itali, 4 prill 2014 – Sajmir Sejdini, 23 vjeç, i skeduar nga policia italiane u arrestua për shpërndarje droge. Karabinierët e Provincës së Leçes e arrestuan Sejdinin në flagrancë duke shitur kokainë.
Ai ishte në një automjet tip Volkswagen Passat duke biseduar me dy të rinj, kur u ra në sy forcave të rendit, që vendosën t’i kontrollonin. Ndërsa panë karabinierët që po afroheshin, dy të rinjtë që ishin në një motor arritën të largoheshin menjëherë. Policia u vu në ndjekje të automjetit të Sejdinit, i cili gjatë kohës kur po ndiqej nga makinat e policisë u përpoq të hidhte nga dritarja qesen me lëndë narkotike.
Atij i kapën vetëm 3 gramë kokainë dhe 6 gramë kanabis. Gjatë kontrollit të banesës iu gjetën një peshore farmacie, material për ambalazhim droge dhe 295 euro, që besohet se janë fryt i shitjes së drogës.Sajmir Sejdinit iu dha masa e sigurisë arrest shtëpie nga gjykata italiane.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





