Vitin e ardhshëm, kampusi universitar i Durrësit pritet të marrë një formë të re, më dinjitoze për një institucion të arsimit të lartë.

UAMD ka hapur këtë fillim dhjetori procedurat e tenderit për ndërtimin e murit rrethues, hyrjes kryesore, parkimit si dhe krijimi i hapësirave rekreative në Kampusin Universitar, në Spitallë.

Shuma e vënë në dispozicion për punimet është 113,946,595.00 lekë ose afërsisht 1.1 miliardë lekë të vjetra.

Afati i fundit për dorëzimin e ofertave nga kompanitë e interesuara është data 16 dhjetor.

Kampusi universitar i ndërtuar në Spitallë përbëhet nga dy godina, ndërkohë që investimi që pritet të realizohet në vitin 2022, pritet të sigurojë për stafin akademik dhe mijëra studentë ambiente të jashtme shumë më cilësore.   

Për herë të parë universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës hapi dyert për studentët në vitin akademik 2006-2007 ku në bankat e tij filluan studimet universitare rreth një mijë studentë nga i gjithë vendi. Sot ai renditet universiteti i dytë më i madh në vend, pas atij të Tiranës dhe numëron më shumë se 17 mijë studentë.