Pesë tendenca, pesë shije të ndryshme të bashkuara në një të vetme. Këtë tentonte të sillte ekspozita “Ngjyrat e pranverës”, një rrugëtim i lindur në kuadër të bashkëpunimit kulturor Shqipëri-Francë. Një udhëtim përmes artit që tenton të sjellë më pranë dy vende mesdhetare me shkëmbime e miqësi të hershme.  

Arti krijon ura bashkëpunimi dhe këtë më mirë se kushdo e dinë artistët. Nuk ka rëndësi nëse flasim të njëjtën gjuhë, nëse u përkasim kulturave e rrymave të ndryshme. Përmes artit arrijmë të përcjellim emocion dhe ndjesi, arrijmë të krijojmë një puzzle të madh që mbushet me veçantitë e gjithsecilit. Në këtë hapësirë, çdo artist jep diçka nga vetja dhe merr po prapë nga të tjerët duke krijuar një shkëmbim reciprok idesh, mesazhesh dhe përjetimesh artistike.

E tillë të ngjante ekspozita e hapur ditën e enjte në galerinë e artit pamor “Nikolet Vasia”. Një art që komunikon në gjuhë të ndryshme, por që arrin të të transmetojë përjetime të forta. Në kuadër të bashkëpunimit kulturor Shqipëri-Francë, shoqata “Syri blu” hapi në Durrës ekspozitën “Ngjyrat e pranverës”, një ekspozitë kolektive e pesë piktorëve francezë dhe shqiptarë.

Krahas dy artistëve francezë Beatrice Richard-de Saint Jean dhe Aymard Le Forestier De Quillien në ekspozitë merrnin pjesë dhe tre artistë shqiptarë; Ledia Kostandini, Besim Tufa dhe Stefan Taçi. Aty gjeje rryma e tendenca të ndryshme duke filluar nga arti abstrakt për të përfunduar në atë figurativ. Një udhëtim jo vetëm mes vendesh, por dhe mes shkollave dhe prirjeve të ndryshme.

Duke falenderuar të pranishmit për pjesëmarrjen drejtori i kulturës në bashki, Adrian Gurra theksoi se,- “bashkëpunimi mes shoqatës “Syri blu”, pushtetit vendor dhe ambasadës franceze solli në Durrës pesë artistë që përmes artit të tyre përcjellin vlera artistike europiane e mesdhetare.

Hapja e kësaj ekspozite përkoi dhe me një vjetorin e hapjes së kësaj galerie që po jep një kontribut të vyer për prezantimin dhe promovimin e artistëve durrsakë e jo vetëm”. Ky është udhëtimi i parë i këtij rrugëtimi artistik që synon të krijojë ura komunikimi mes artistëve të të dy vendeve. Përmes artit përcillen mesazhe, transmetohen vlera dhe kjo ekspozitë e tregonte më së miri meqenëse secili nga artistët vinte me origjinalitetin e tij artistik.

Përmes 55 tablove të ekspozuara, megjithëse shumë të ndryshme në kompozim mund të gjeje një element të përbashkët ngjyrat e forta, karakteristikë e zonës mesdhetare. “Mesdheu me natyrën e tij të mrekullueshme në shekuj ka zhvilluar shkëmbime njerëzore, idesh vlerash, kulturash, aq më tepër kur sot këto vlera përfaqësojnë popuj ndër më të lashtët në Europë, nëpërmjet vlerave artistike si pjesëza të rëndësishme të mozaikut kulturor europian”,- theksoi ndër të tjera kuratori i kësaj ekspozite, Besim Petrela.

Ndërkohë dy artistët francezë, pjesëmarrës në këtë ekspozitë, u shprehën se ndiheshin mirë që u njohën me punët e kolegëve të tyre shqiptarë dhe në të njëjtën kohë vlerësuan si fakt të rëndësishëm interesimin e madh të artdashësve durrsakë për të parë nga afër punimet artistike. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datë 30 prill dhe, krahas njohjes me karakteristikat e secilit piktor e veçoritë e secilës tendencë artistike, artdashësit mund të blejnë tablonë që u pëlqen, pasi secila prej tyre shoqërohej me çmimin përkatës.