Në Kinë po finalizohet një nga veprat më të jashtëzakonshme të inxhinierisë moderne: Ura e Kanionit Huajiang, e cila do të jetë më e larta në botë jo për shkak të shtyllave ose lartësisë mbi nivelin e detit, por për distancën vertikale mes kuvertës dhe tokës.

Me një lartësi marramendëse prej 625 metrash mbi lumin Beipan, ajo tejkalon edhe disa nga rrokaqiejt më të lartë në planet, si Qendra Botërore e Tregtisë në Nju Jork (541 m) apo Kulla e Shangait (632 m). Më e larta mbetet Burj Khalifa në Dubai me 830 metra.

Kjo urë do të thyejë rekordin e mbajtur deri tani nga Ura Duge (565 m), gjithashtu në Kinë. Struktura monumentale është ndërtuar për vetëm tre vite, me një kosto prej 283 milionë dollarësh dhe pritet të hapet për qarkullim në qershor 2025.

E ndërtuar mbi një terren të vështirë dhe në kushte ekstreme moti, ura është 2 890 metra e gjatë, me një hapësirë kryesore 1 420 metra dhe dy kulla mbështetëse që arrijnë lartësinë 262 metra. Kavot mbajtëse janë të lidhura me një tra çeliku prej 22 000 tonësh – sa dy Kulla Eiffel së bashku.

Efikasiteti i ndërtimit i atribuohet sistemit të centralizuar të vendimmarrjes në Kinë, që lejon zhvillimin e shpejtë të projekteve, ndryshe nga Perëndimi ku të tilla vepra marrin vite. Si shembull, Ura Gordie Howe mes SHBA-së dhe Kanadasë, pritet të hapet pas mbi 7 vitesh ndërtim, megjithëse është vetëm 220 metra e lartë.

Pavarësisht sfidave mjedisore dhe logjistike, ura Huajiang përfaqëson një arritje të re inxhinierike dhe një tjetër rekord për Kinën, ku ndodhen 43 nga 50 urat më të larta në botë.