Phoebe Gates, vajza më e vogël e miliarderit dhe themeluesit të Microsoft, Bill Gates, ka hyrë në botën e biznesit me aplikacionin e saj për tregti elektronike, të quajtur Phia. E diplomuar në Universitetin prestigjioz të Stanfordit, Phoebe, 22 vjeçe, e krijoi aplikacionin në bashkëpunim me ish-shoqen e saj të dhomës, Sophia Kianni.

Phia u lançua më 24 prill dhe synon t’i ndihmojë përdoruesit të krahasojnë në kohë reale çmimet e produkteve të reja dhe të përdorura nga mijëra faqe online. Në një intervistë për The New York Times, Bill Gates pranoi se kishte dyshime fillestare mbi idenë e vajzës dhe u frikësua se ajo do t’i kërkonte financim.

“Kur më tregoi për idenë, mendova: ‘Wow, shumë njerëz e kanë provuar, dhe ka disa lojtarë të mëdhenj në këtë fushë’. Më pas mendova: ‘Oh, tani do të vijë dhe do të kërkojë para’”, tha ai, duke shtuar se nëse do e financonte vetë, do ndjehej i detyruar të kontrollonte nga afër çdo hap të saj.

Në vend të ndihmës financiare nga prindërit, Phoebe u mbështet nga Soma Capital me 100,000 dollarë dhe siguroi një grant prej 250,000 dollarësh nga një program sipërmarrës në Stanford. Më pas, arriti të tërheqë edhe 500,000 dollarë nga investitorë individualë.

Nëna e saj, Melinda Gates, ka qenë mbështetja më e madhe në këtë proces. Phoebe e cilësoi si “shtyllën e fortë” dhe tha se nëna e inkurajoi ta ndërtonte vetë biznesin, pa mbështetje financiare nga familja. “Edhe nëse dështoja, do të mësoja diçka nga kjo përvojë,” shtoi ajo.