Aktori i njohur dhe moderatori i “Fiks Fare”, Julian Deda, ka kujtuar ditën e sotme babain e tij të ndjerë, Zef Deda. Juli ka bërë një postim mjaft prekës në profilin e tij në Instagram, ku ka postuar një video të aktorit të madh dhe bashkëngjitur me të, ai kujton se sot do të bënte 76 vjeç.

Aktori shkruan se e kujton çdo ditë ashtu siç shfaqet në pamjet e ndara me ndjekësit e tij, me kitarë, duke kënduar, duke qeshur dhe duke i falë kënaqësi gjithkujt.

Deda shton se i mungon pafund por nuk ka çfarë të bëjë, pasi fati i detyroi që ditëlindjet t’i festonin veç e veç. Ai rikujton edhe amanetin që aktori i madh u ka lënë, që të qeshin dhe të gëzojnë.

“Ma gëzofsh ditën e lindjes Bosi jem.

Sot në 76-vjetorin tand, të kujtoj, siç të kujtoj çdo ditë, siç do të kujtoj gjithë jetën, tamam kështu si në këtë video, me kitarre, duke këndu, duke qesh dhe duke i fal kënaqësi gjithkujt.

A më mungon? Më mungon pa fund. Po ça me ba, fati na detyron që këto ditëlindje me i festu veç e veç, ne këtu në tokë, e ti atje nalt. Se ti e din, na e ke lan vetë amanet, na do të qeshun e të gëzum, dhe ne nuk ta harrojmë porosinë. Prandaj, gëzuar gjigand. Je më i miri Babo. Të du fort. ❤️”, shkruan Juli krahas videos në fjalë.