Jamie-Lee Arrow, vajza e njërit prej vrasësve më famëkeq në historinë e Suedisë, ka thyer heshtjen dhe ka treguar për herë të parë përjetimet e saj tronditëse gjatë fëmijërisë, në një dokumentar të ri të Investigation Discovery.
Në episodin me titull “Babai im, kanibali” të serisë “Evil Lives Here: The Killer Speaks”, Jamie-Lee përballet ballë për ballë me të atin, Isakin Drabbad, duke rrëfyer për dashurinë, frikën dhe plagët e pashëruara që ka lënë pas ai në jetën e saj.
Isakin Drabbad u bë i njohur për krimin makabër të vitit 2010, kur vrau dhe copëtoi të dashurën e tij, Helle Christensen, duke konsumuar pjesë nga trupi i saj. Ai u shpall fajtor për vrasje dhe u dërgua në një institucion të shëndetit mendor, ku qëndroi për vite me radhë, raporton Daily Mail.
Në dokumentar, Jamie-Lee rrëfen me lot në sy:
“E di sa shumë duhet ta duash dikë që, edhe kur të tmerron për vdekje, prapë dëshiron ta shohësh?”
Ajo shprehet se ndonëse është përballur me frikën dhe dhunën emocionale gjatë gjithë jetës së saj, gjithmonë ka pasur një dëshirë për t’u rikthyer tek i ati – jo për shkak të krimeve të tij, por për shkak të lidhjes së pazgjidhshme midis një vajze dhe të atit.
Pas një shkëputjeje prej më shumë se katër vitesh, Jamie-Lee vendosi ta takojë sërish për të kuptuar nëse kishte ndonjë shpresë për pajtim. Fillimisht ai u tregua i përmalluar, por shumë shpejt, sipas saj, “ngjyrat e tij të vërteta dolën sërish në pah”.
Në një deklaratë për People, ajo tregoi se pas dokumentarit pati edhe disa takime të tjera me të, madje e fali dhe i tha se e donte. Por gjithçka u rrëzua, kur ai i dërgoi një mesazh kërcënues, ku i shprehte urrejtje dhe i kërcënonte familjen nëse ajo do të përpiqej të kontaktonte sërish.
“Ishte momenti që më dha mbylljen që më duhej. Po e vajtoj sikur të kishte vdekur. E dua, por e di që nuk mund të jetë kurrë pjesë e jetës sime, dhe kurrsesi e jetës së fëmijëve të mi. Dhemb të duash dikë që është aq i dëmshëm për ty,” – përfundon ajo.