Kylian Mbappe shënoi emrin me gërma të arta në historinë e PSG teksa shënoi në fitoren e kryeqytetasve me rezultatin 4-2 ndaj Nantes.

Falë atij realizimi, sulmuesi regjistroi golin numër 201 me fanellën e parizienëve duke u shndërruar në golashënuesin më të mirë në historinë e skuadrës franceze.

Në fund të sfidës, 24-vjeçari ishte autor edhe i një gjesti të bukur duke qenë se ndërroi fanellën me sulmuesin e Nantes, Ignatius Ganago.

Ky i fundit fsheh një histori të trishtë duke qenë se vajza e tij vetëm pesëvjeçare, ndërroi jetë para dy javëve si pasojë e një sëmundje të rëndë.

Duke njohur historinë e kundërshtarit, Mbappe kërkoi t’i dhuronte atij fanellën speciale duke qenë autor i një gjesti simbolik mjaft domethënës.

Sulmuesi i Nantes nga ana tjetër i dhuroi një përqafim Mbappe duke e vlerësuar pamasë mendimin e lojtarit të PSG.