Një valë e re e rasteve të koronavirusit në të gjithë Europën po ushqen frikën se rimëkëmbja e fortë ekonomike e rajonit nga pandemia mund të rrezikohej nga një dimër tjetër i ashpër.

Deri tani, vala e re e Covid-19 po jep vetëm një ndikim të kufizuar në aktivitetin e biznesit në 19 vendet që përdorin euron. Indeksi i Menaxherëve të Blerjeve nga IHS Markit, një matës kryesor i ekonomisë, u rrit gjatë nëntorit pas rënies në nivelin më të ulët të gjashtë muajve të fundit në tetor, duke iu referuar të dhënave të publikuara të martën.

Megjithatë, pritshmëritë për të ardhmen po përkeqësohen. Austria njoftoi javën e kaluar se do t’i kthehet një izolimi kombëtar. Infeksionet në rritje alarmante në Gjermani kanë ngritur gjithashtu dyshime nëse ekonomia më e madhe e rajonit mund të rivendosë kufizime gjithëpërfshirëse.

“Një zgjerim më i fortë i aktivitetit të biznesit në nëntor sfidoi pritshmëritë e ekonomistëve për një ngadalësim, por nuk ka gjasa që të parandalojë një rritje më të ngadaltë ekonomike për eurozonën në tremujorin e katërt, sidomos me rastet në rritje të virusit që duket se do të shkaktojnë bllokime të përsëritua në ekonomi gjatë dhjetorit. ”, tha Chris Williamson, përgjegjësi i ekonomistëve të biznesit në IHS Markit.

Besimi i konsumatorëve në eurozonë ra “dukshëm” në nëntor, sipas Komisionit Europian. IHS Markit raportoi se pritshmëritë e kompanive këtë muaj për prodhimin ekonomik në të ardhmen “u përkeqësuan duke rënë në nivelin më të ulët që nga janari”.

Ruben Segura-Cayuela, ekonomist për Europën në Bankën e Amerikës, tha se nevojiten më shumë të dhëna për të vlerësuar se çfarë impakti mund të kenë për ekonominë e rajonit kufizimet në Europë. Ai vuri në dukje se me çdo valë të infeksioneve Covid-19, ndikimi ekonomik ka rënë pasi bizneset dhe konsumatorët mësohen ta përballojnë atë.

“Ne e dimë se do të ketë një reagim, thjesht nuk e dimë nëse do të jetë me të njëjtën magnitudë”, tha ai. “Do të supozoja, bazuar në atë që kemi parë gjatë muajve të fundit, se do të jetë më i vogël.”

Europa u godit shumë rëndë nga pandemia në vitin 2020. Prodhimi ekonomik ra me 6.3% në eurozonë, krahasuar me një rënie prej 3.4% në Shtetet e Bashkuara.

Por rajoni ka filluar rimëkëmbjen në muajt e fundit pasi normat e vaksinimit janë rritur. Prodhimi i brendshëm bruto në eurozonë u rrit me 2.2% ndërmjet korrikut dhe shtatorit krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

A pritet një stanjacion ekonomik?

Shumëҫka tani varet nga mënyra se si do të vijojë situata në Gjermani, tha Jessica Hinds, ekonomiste për Europën në Capital Economics. Ajo mendon se është “e mundshme” që Europa të kalojë në një stanjacion në fund të vitit nëse ekonomia e saj më e madhe hyn në një izolim.

“Ka të ngjarë të shohim disa goditje në aktivitetin ekonomik, për shkak se rritja e numrit të rasteve të reja i bën konsumatorët më të frikësuar, si dhe nxit qeveritë të aplikojnë masa më të rrepta për nevojën e pasaportës Covid për aktivitete të ndryshme,” tha Hinds.

Duke filluar nga e mërkura, punonjësit në Gjermani duhet të paraqesin një test negativ për Covid-in, statusin e tyre të vaksinimit ose provën e shërimit nga virusi për të shkuar në punë. Nëse nuk kanë mundësi të punojnë nga shtëpia, ata mund edhe të mos paguhen. Nga e shtuna, Berlini do të ndalojë hyrjen e qytetarëve të pavaksinuar në hotele, restorante, bare dhe dyqane, me përjashtim të dyqaneve të ushqimeve dhe farmacive.

Sektori i prodhimit në Gjermani gjithashtu mbetet nën presion pasi problemet e zinxhirit të furnizimit vazhdojnë të ndikojnë prodhuesit e automjeteve dhe prodhuesit e tjerë.

Franca gjithashtu mund të njoftojë kufizime të reja për Covid-19 pasi raportoi më shumë se 30,000 infeksione të reja të martën, një nivel ky i regjistruar për herë të fundit në fillim të gushtit. Zyrtarët e qeverisë pritet të diskutojnë masat e reja të mërkurën.

Përveç rasteve të infektimeve me koronavirus, Europa po përballet edhe me efektet e një ngadalësimi ekonomik në Kinë, si dhe me rritjen e inflacionit dhe krizën e furnizimit me energji e cila mund të rrisë kostot për bizneset dhe ta bëjë më të shtrenjtë ngrohjen e shtëpive këtë dimër. Kjo mund të dëmtojë më gjerësisht shpenzimet e konsumatorëve.

Segura-Cayuela tha se mbeten akoma disa elementë pozitivë të rimëkëmbjes. Teprica e kursimeve të krijuara më herët gjatë pandemisë, për shembull, po ndihmojnë në zbutjen e efekteve negative të inflacionit në të ardhurat e njerëzve.

“Ka ende forca të rihapjes që po ndihmojnë rritjen në planin afatshkurtër,” tha ai./ CNN