"Highgate Cemetery" është një varrezë e njohur në pjesën veriore të Londrës, në Angli. Ajo ndahet në dy pjesë, përkatësisht Pjesa Lindore dhe Pjesa Perëndimore. Aty janë tes varrosur rreth 170,000 persona në rreth 53,000 varre.

Në formën e saj të parë varreza u hap në 1839 si pjesë e një plani për të formuar 7 varreza të reja, të njohura si "The Magnificent Seven" (Shtatë të mrekullueshmit), në rrethinën e Londrës. Varrezat brenda qytetit, të cilat kryesisht ishin të lidhura me kisha individuale, kishin kohë që nuk përballonin dot numrin e varrimeve dhe kishin filluar të shiheshin si një rrezik për shëndetin dhe si një mënyrë jo-dinjitoze për të parë vdekjen. Dizajni fillestar u bë nga arkitekti dhe sipërmarrësi Stephen Geary.

Të hënën, me 20 maj 1839, varreza u hap duke iu dedikuar Shën Jakobit. Në drejtim të saj u vendos prifti Charles Blomfield, kryepeshkopi i Londrës. 15 akra u shenjtëruan për përdorimin e kishës, kurse dy akra u lanë për kundërshtarët e saj. Varrimi i parë i takoi Elizabeth Jackson.

Varrimet në Highgate, si edhe në të tjerat e "The Magnificent Seven", shpejt dolën në modë. Sjellja viktoriane ndaj vdekjes çoi tek mbushja e varrezës me varre dhe ndërtime gotike. Highgate shtrihet në një anë spektakolare të kodrës me të njëjtin emër pranë parkut Waterlow.

Toka e varrezës është e mbushur me pemë, shkurre dhe lule të egra të mbira vetë. Ky vend është parajsë për zogjtë e ndryshëm dhe për dhelprat. Bulevardi Egjiptian dhe Rrethi i Lebanonit kanë varre, dhoma varresh dhe rrugë të ngatërruara të hapura në brendësi të kodrës. 

"Highgate Cemetery" u përfol shumë në media gjatë viteve 1960-1980 për shkak të historisë së saj të "errët" e cila përfshinte edhe historinë e Vampirit të Highgate.

Të parat në listën e vizitave janë varri i Karl Marksit, Rrethi Lebanonit dhe Bulevardi Egjiptian.