I ftuar në emisionin “Alert” në “Ora News”, kryetari i Shoqatës së Tur-operatorëve, Besnik Vathi, theksoi nevojën për një kujdes maksimal nga autoritetet qendrore dhe lokale, për shkak të rritjes së trafikut dhe fluksit të turistëve gjatë sezonit të shkurtër turistik në Shqipëri.

“Shqipëria turizmin e plazheve e ka tepër të rëndësishëm edhe në vlerë edhe në total numrash personash, edhe në organizim edhe në punësime, por natyrshëm duke qenë se është në një periudhë jo shumë të gjerë, pra për një periudhë 4-5 mujore dhe në disa zona të Shqipërisë edhe më pak, 1 mujore apo 1 muaj e gjysëm, është e domosdoshme që kujdesi nga ana e organeve të qeverisë qendrore dhe organeve të pushtetit lokal të jetë në maksimal gjatë kësaj periudhe. 

Të jetë në kujdes maksimal lidhur me shumë problematika që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e këtij sektori. Duhet të jetë kujdesi, së pari njëherë për trafikun, pasi në një periudhë shumë të shkurtët 2 mujore, numri i mjeteve shtohet, rrugët janë po ato që janë edhe kur zgjerohen marrin më shumë vite sesa numri dhe rritja e trafikut në vend, shtimi i të huajve jo vetëm me transportin publik por edhe me transportin individual, qoftë dhe me transportin individual të marrë nga privatët me ‘rent’, duke marr makina me qira, bën që ky trafik të jetë jashtëzakonisht i madh”, u shpreh Vathi.