Pas vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit për zonat e parkimeve me pagesë në rrugët e Durrësit, ka reaguar anëtari i Këshillit Bashkiak Joni Myshketa.

Së bashku me tre këshilltarë të tjerë të grupit të tij, Myshketa iu drejtua me një kërkesëpadi gjykatës për të kundërshtuar propozimin e Bashkisë Durrës, i cili u miratua në Këshillin Bashkiak më datë 25.06.2024.

Në deklaratën e sotme për mediat, Myshketa tha ndër të tjera se e ngriti këtë kërkesëpadi në interes të qytetarëve durrsakë. Sipas tij bashkia përpara sesa të rëndojë xhepat e qytetarëve duhet të mendonte për t`i dhënë zgjedhje konkrete problematikës së theksuar të parkimeve në qytet.

Këshilltari i djathtë premtoi se vendimin e gjykatës do ta apelojë në Gjykatën e Lartë.

Pjesë nga deklarta e këshilltarit Myshketa:

“Vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit rrëzoi padinë tonë në lidhje me tarifimin e parkimeve me pagesë në zonën A dhe B të qytetit.

Ka qenë një nisëm e kundërshtuar që në krye të herës prej meje personalisht dhe grupit që përfaqësoj sepse në parim jo se jemi kundër tarifimit me pagesë, por përpara sesa të shkohet tek pagesa, tek rëndimi i xhepit të qytetarëve duhet të zgjidhen nga ana e pushtetit lokal problemet dhe të gjendet një rrugë alternative se ku qytetarët e Durrësit duhet të parkojnë, pasi vëmë re që parkimi i mjeteve është kthyer në një problem jetik për qytetarët. Kemi trotuare të zgjeruara, rrugë të ngushtuara, çdo 12 metra kemi nga një rotondë që e cila e ngarkon trafikun e automjeteve dhe minimizon parkimet.

Do të vazhdoj me rekursin në Gjykatën e Lartë duke shpresuar dhe besuar fort, që e drejta të shkojë në kahun e duhur të peshores së drejtësisë. Nuk është një nisëm që bëhet për kredo politike, por është një nisëm në zhvillim të qytetit dhe në interes të qytetit.”