TIRANENë një kohë kur “CEZ Shpërndarje” ka pranuar zyrtarisht se nuk mund të plotësojë kushtet e vendosura nga Enti Rregullator i Energjisë për mbajtjen e liçencës, burime pranë ERE thonë se kompania tashmë ka hyrë në procesin e heqjes së liçencës, raporton “Top-Channel”. 

Pasi ka shqyrtuar pretendimet e kompanisë çeke, ERE ka hartuar raportin përfundimtar që në bazë të ligjit bëhet publik 1 muaj pas përfundimit të afatit për plotësimin e kushteve, pra në datën 20 janar.

Kompanisë “CEZ” iu dha fillimisht një afat 30 ditor, kohë gjatë së cilës duhet të reflektonte mbi situatën e krijuar dhe të plotësonte kushtet e vendosura nga ERE si rifillimin e importit të energjisë elektrike; dorëzimin e bilancit financiar të audituar për vitin 2011; ndalimin e ndërprerje kolektive të energjisë  dhe normalizimin e bilanceve financiare. 

Por, në përfundim të këtij afati, kompania deklaroi se nuk mund të plotësonte kushtet për shkak të gjendjes së vështirë financiare në të cilën ndodhet e që sipas saj ka ardhur pikërisht për shkak të vendimeve penalizuese të autoriteteve shqiptare dhe bllokimit te llogarive bankare. 

Në letrën zyrtare dërguar ERE, kompania përmend gjobat masive të tatimeve dhe madje në letër pretendon se edhe vendimet e gjykatave kane qenë gjithmonë kundër saj, duke e çuar “CEZ Shpërndarje” në gjendjen e një kolapsi financare.

Ditët e fundit kompania ka qenë në qendër të akuzave të Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës e cila ka bërë përgjegjëse CEZ për ndërprerjet e energjisë elektrike në vend duke deklaruar se qeveria ka importuar energji elektrike, por se kufizimet vijnë për shkak të sistemit të shpërndarjes që nuk ka kryer investimet e duhura.