16 korrik 2015 – Lidhur me ngjarjen e rëndë ndodhur një ditë më parë ku një vajzë 20 vjeçe vrau veten për një dashuri të mohuar nga një tjetër vajzë, shoqet e saj me të cilat ndante qiranë e shtëpisë në Tiranë, janë rrëfyer se ato dinin për një lidhje të shoqes së tyre me një djalë, e jo një vajzë.

20-vjeçarja kishte lënë një letër sqaruese, ku përmendej emri “Xhoi”. Hetuesit që kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të motiveve të vetëvrasjes së studentes Ida Xherahu, thonë se çelësi është vajza me emrin “Xhoi”, e cila nuk është identifikuar ende.

Kjo vajzë ka mbetur mister, pasi as shoqet e viktimës, nuk e njihnin dhe as nuk e kishin dëgjuar ndonjëherë emrin e saj. Ato kanë thënë për policinë se nuk kishin vënë re ndonjë sjellje të çuditshme të shoqes së tyre, raporton ‘Panorama’.

Tri vajzat, bashkëmoshatare të viktimës, po ashtu studente tek Inxhinieria e Ndërtimit, që kanë ndarë për një vit qiranë e shtëpisë me Ida Xherahun, janë thirrur veç e veç në polici për të dëshmuar rreth ngjarjes. 

“Ne e dinim që ajo kishte një lidhje dashurie, por me një djalë. Nuk e kishim idenë që ajo mund të pëlqente femrat, të paktën jo në këtë formë.

Nuk e dimë emrin e djalit që ajo thoshte se e kishte të dashur. Nuk na e kishte thënë, madje as nuk na e kishte prezantuar, siç na ndodh ne të tjerave që të takohemi ndonjëherë edhe si çifte.

Por që të dashuronte një vajzë, këtë nuk e kishim menduar asnjëherë dhe as nuk na e kishte lënë të dyshonim për këtë”, kanë deklaruar shoqet e viktimës, shkruan “Panorama”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/