Meksikë, 19 mars 2014 – Në Ciudad Juarez, kryeqytetin meksikan përsa i përket viktimave femra dhe dhunimit të të drejtave të njeriut, vdekja nuk kursen as fëmijët e vegjël. Në datë 12 mars, Noemi Alvarez Astorga, vetëm 8 vjeçe vari veten në një qendër asistence për të vegjlit. Trupi i të miturës u gjet i varur në banjo, ndërkohë autoritetet e mbyllën çështjen menjëherë.
Sipas policisë, Noemi prej kohësh nuk i shihte prindërit e saj që kishin emigruar në SHBA në kërkim të një jete më të mirë. Ajo jetonte me gjyshen që thuhet se i kishte paguar një shumë prej 4000 dollarësh një trafikanti njerëzish, Domingo Fermas Uves, për ta kaluar ilegalisht vajzën në SHBA, ku do të takohej me fëmijët. Por nuk mundën të kalonin kufirin, pasi u ndaluan nga policia.
Noemi u shoqërua në një qendër asistence për fëmijët, por sipas psikologes që ndiqte rastin e saj vogëlushja ishte mjaft e terrorizuar. Hetimet e mbyllura nga policia kërkon t’i hapë Komisioni Kombëtar për të Drejtat e Njeriut në Meksikë.
Shumë pikëpyetje ngrihen mbi vetvrasjen e 8 vjeçares, e cila në vend që të shoqërohej në një institucion publik u dërgua në një qendër private. Hetuesit ngrenë dyshimin se si gjyshja i besoi vajzën 8-vjeçe një krimineli me emër? Pas rastit të Noemit mund të fshihet një rrjet i tërë trafiku fëmijësh.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





