Vetëm tre km larg nga qendra e Durrësit, gjendet rruga “Pjetër Bogdani”. Kjo rrugë ndan lagjen numër 8 me lagjen numër 15, rreth 500 metra mbi shkollën “Demokracia”. Nga rruga e paramenduar, ka mbetur vetëm një gjurmë, shtegu i mbuluar nga llumi, nga balta dhe ujërat e zeza, që zbresin direkt prej kodrës në rrugë. Si pasojë e mungesës së kanalizimeve, dhe rrjedhjes së ujërave të zeza direkt në rrugë, e gjithë zona kodrinore ka pësuar cedim, dhe banesat në të ardhmen janë shkak i një rreziku real prej erozionit të vazhdueshëm. Por kjo situatë ka sjellë bllokimin e rrugës, dhe protestë nga ana e komunitetit të banorëve.

Banorët

“Jemi ku thërret qameti. Fëmijët i ngremë në krahë që t’i nisim në shkollë. Nuk dalin dot në rrugë nga balta. Unë kam investuar 1 milion lekë për rrugën, e kam mbushur me gurë, por balta që vjen nga kodra na ka bllokuar! Bashkia nuk merr masa. Kreu i bashkisë ka ardhur disa herë e ka kërkuar votën, por nuk na ka dhënë asnjë zgjidhje veç premtimit”, shprehet një banor.

“Unë kam gruan me dializë. Më duhet ta marr në barelë, po si ta nxjerr, se balta është mbi gju. Na kanë bllokuar, e nuk merr asnjë njeri masa!”, shprehet një tjetër zotëri.

“Nuk ka ku të vejë më keq. 3 kilometra larg Durrësit, dhe rruga dimër-verë na mbytën nga ujërat e zeza dhe balta. I bëjmë thirrje kreut të bashkisë të na ndihmojë, se taksat na i kërkojnë, pastrim-gjelbërim, ujësjellës, kanalizime, ndriçim. Ne nga këto gjëra nuk kemi, ju lutemi shumë”, apelon një banore tjetër.  

Shqetësimi i tyre u ngrit pasi një kamion mbeti në baltë, shoferi iku u largua, duke lënë aty kamionin me ngarkesë, dhe rrugën të bllokuar. (Lexo këtuPolicia, “s'i bie dot gomarit, i bie samarit”)