Është publikuar videoja e momentit të dhunimit të turistëve spanjollë nga pronari i restorantit në Porto Palermo të Himarë, Mihal Kokëdhima.

Videoja e publikuar nga "BalkanWeb", tregon momentin e tmerrshëm, kur pronari i lokalit i hidhet me trup furgonit të turistëve, duke goditur me grushte xhamin e përparme të mjetit.

Mihal Kokëdhima arrin të thyejë plotësisht xhamin e mjetit, duke gjakosur dhe dorën e tij, ndërsa ngjarja ka krijuar panik të madh te turistët, të cilët dëgjohen duke bërtitur të tronditur.

Si ndodhi ngjarja e rëndë:

Turistët spanjollë kishin ardhur më 15 gusht me jaht nga Saranda dhe ishin ulur të konsumonin një drekë në një restorant në Porto Palermo të Himarës. Turistët kanë hyrë në ambientet e restorantit, por nuk kanë pëlqyer shërbimin e ofruar dhe më pas janë ngritur për t’u larguar.

Ky moment ka bërë që pronarët e lokalit të ndjekin nga pas furgonin e turistëve, ndërsa kanë goditur fizikisht drejtuesin e mjetit së bashku me 5 turistët spanjollë.

Në konflikt e sipër, pronarët e lokalit kanë nxjerrë edhe armët e ftohta për të goditur turistët, si dhe kanë thyer xhamin e furgonit, i cili po i shoqëronte ato.

Brenda furgonit ndodheshin 7 persona, prej të cilëve 5 spanjollë, shoferi dhe shoqëruesi i turistëve.

Arrestimi i pronarit të lokalit:

Ndërkohë, një ditë pas ngjarjes së rëndë, ditën e djeshme, policia ka arrestuar pronarin e lokalit, 51-vjeçarin Mihal Kokëdhima, banues në Sarandë.

“Policia e Sarandës në bashkëpunim me Policinë e Himarës, pas hetimeve të kryera në lidhje me konfliktin e djeshëm në një lokal të Himarës, kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të 51-vjeçarit pasi ditën e djeshme, në lokalin e tij Bar-Restorant në Porto Palermo të Himarës, spër motive të dobëta ka kanosur me fjalë një grup turistësh spanjollë.

Më pas ka dëmtuar mjetin e transportit privat të tyre dhe është konfliktuar fizikisht me ta duke u shkaktuar dëme në trup por më shumë është dëmtuar shtetasja spanjolle K.R.

Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të tij për veprat penale “Kanosja”, “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shkatërrimi i pronës””, thuhej në njoftimin e policisë.