4 dhjetor 2015 – Gazetari Ylli Rakipi, në emisionin e tij “Të Paekspozuarit”, këtë të enjte kishte një format paksa ndryshe. Stafi i emisionit kishte shkuar në shtëpinë e deputetit Koço Kokëdhima, për të shfaqur anën tjetër të panjohur të deputetit, jetën familjare.

Aty tregohet se si ai e nis ditën duke lexuar gazetën e tyre “Shekulli”, dhe duke biseduar me të shoqen për hallet e popullit. Më pas e shoqja, por dhe vajza e tij Besa, tregojnë Koçon familjar.

I angazhuar fuqishëm në lobimin për legalizimin e kanabisit, gjatë intervistës, Kokëdhima ka befasuar, duke thënë se edhe Rama nuk është kundër legalizimit të kanabisit. Më tej, deputeti është shprehur se do ta votonte si kryeministër Ilir Metën.

“Do ta votoja me kënaqësi Ilir Metën për kryeministër. Nëse partia PS dhe LSI në zgjedhjet e ardhshme do të bëjnë një qeveri me Ilir Metën kryeministër do ta votoj me kënaqësinë më të madhe, s’ka asnjë problem,” tha Kokëdhima.

Sipas tij, PS nuk mund të qeverisë pa LSI-në dhe kjo është çështje numrash.

Kokëdhima, i njohur si Komisari i Jugut, e pranoi se edhe sot në Shqipëri njerëzit me pushtet e përdorin ndikimin e tyre për të punësuar njerëz në administratë.

/portali DurresLajm/