Policia Kufitare e Vlorës i ka shkuar në ndihmë një shtetasi i cili kishte mbetur i bllokuar në det me gomone, për shkak të një defekti në motorin e mjetit lundrues.

Policia njoftoi se “ditën e djeshme, Policia Kufitare ka marrë njoftim se në afërsi të Plazhit të Vjetër, një gomone kishte pësuar defekt në motor dhe shtetasi që lundronte me të kërkonte ndihmë, pasi e kishte të pamundur kthimin në breg”.

“Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare, me mjetin lundrues të Stacionit të SPK Triport, janë nisur drejt vendit të raportuar. Pas lokalizimit të gomones, u bë rimorkimi dhe transportimi i saj në mënyrë të sigurt drejt Stacionit të Policisë Kufitare Triport”, njoftoi policia.

Policia Kufitare mbetet e angazhuar për sigurinë në hapësirat detare dhe ndihmën në çdo rast emergjent.