Katër objekte të lashta ari, pjesë e një ekspozite artefaktesh nga Rumania, u vodhën nga një muze në Holandë në orët e para të mëngjesit të së shtunës, 25 janar. Policia u thirr në vendngjarje pas raportimeve për një shpërthim pak orë pas mesnate, pasi hajdutët kishin hyrë në Muze duke vendosur eksplozivë.

Ata janë futur në Muzeun Drents që ndodhet në Assen, i cili po organizonte një ekspozitë të bizhuterive të çmuara prej ari dhe argjendi këto ditë. Autorët, siç raportohet nga BBC , rrëmbyen tre byzylykë spirale dakiane, si dhe pjesën qendrore të ekspozitës, përkrenaren e artë të Kotofenestit, e dekoruar në mënyrë mbresëlënëse, e cila daton rreth vitit 450 para Krishtit.

Drejtori i Muzeut Drents tha se stafi ishte thellësisht i tronditur nga ngjarja, që ai tha se ishte incidenti më i madh në historinë e tij 170-vjeçare. Policia, përveç pamjeve nga kamerat e sigurisë, po heton edhe një automjet të djegur të gjetur në një rrugë aty pranë. Asnjë arrestim nuk është bërë, por autoritetet dyshojnë se disa persona janë të përfshirë dhe është kërkuar ndihma e Interpolit.

Nga ana e saj, Ministria e Kulturës rumune premtoi të marrë të gjitha masat e mundshme për të rikuperuar objektet e vjedhura. Të katër sendet e vjedhura janë të një rëndësie të jashtëzakonshme kulturore për Rumaninë, me helmetën Cotofenesti që konsiderohet një thesar kombëtar.

Në fund të viteve 1990, 24 byzylykë të së njëjtës epokë u gjetën nga gjuetarët e thesarit dhe u shitën jashtë vendit. Shteti rumun ka vite që përpiqet t’i rimarrë ato nga koleksionistët në Austri, Gjermani, Francë, Britani të Madhe dhe SHBA.