Premiera e parë e teatrit “Aleksandër Moisiu” për sezonin e vjeshtës, e vënë në skenë, mbrëmjen e së premtes rezultoi një sukses i vërtetë. Komedia e Karlo Goldonit “Arlekini, shërbëtori i dy zotërinjve” shkaktoi të qeshura të shumta tek publiku në sallë, ndërkohë që loja aktoriale e trupës së Durrësit u duartrokit disa herë gjatë shfaqjes. Salla e teatrit ishte mbushur plot e përplot, kryesisht me mosha të reja, duke dëshmuar kështu se të rinjtë durrsakë e duan artin dhe veprimtaritë kulturore.
Regjizori Hervin Çuli kishte menduar të sillte në skenën e qytetit bregdetar një komedi të shkruar rreth 3 shekuj më parë nga dramaturgu i njohur italian Karlo Goldoni. Megjithë kohëzgjatjen e saj, rreth 2 orë e 20 minuta, shfaqja ishte mjaft dinamike, me të papritura dhe ngatërresa të shumta, filli lidhës i së cilave ishte personazhi kryesor i saj, shërbëtori Trufaldino, i interpretuar nga humoristi i njohur durrsak Muharrem Hoxha. Pas një jete në skenë në zhanrin e humorit, Hoxha i dha jetë një personazhi, gënjeshtar, por shpirtmirë, me një mani të vetme, të mbushë barkun me bukë.
Nga njëra skenë në tjetrën, nga një situatë në tjetrën Trufaldino ngatërrohet gjithnjë e më shumë në lëmshin e gënjeshtrave që gjuha e tij e gjatë lëshon pa hesap, por gjithsesi arrin të shpëtojë paq, madje në fund të komedisë kurorëzon në martesë dashurinë e tij për shërbëtoren e zonjushës Klariçe. Megjithëse një shërbëtor pak budalla dhe me memorie të kushtëzuar siç preferon ta paraqesë veten ai arrin të ngatërrojë fisnikë të nderuar e pasanikë.
Pas rreth një viti mungese në skenën e teatrit të Durrësit, Muharrem Hoxha u rikthye edhe njëherë në rolin e protagonistit duke realizuar një interpretim mjaft të arrirë. Të qeshura dhe duartrokitje të shumta shkaktoi Hoxha sidomos në skenën, kur nën tingujt e hitit të Joe Cocker “You can leave your hat on” imitoi kërcimin e famshëm erotik të Kim Basinger tek filmi “9 javë e gjysëm”.
Megjithëse e shkruar shekuj më parë dhe me pak lidhje me realitetin e sotëm regjizori Hervin Çuli ishte përpjekur që me disa batuta të shkurtra të vëna në gojën e personazheve ta aktualizonte sadopak situatën e krijuar në vepër. Ndërsa Trufaldino vret mendjen për gënjeshtrën e rradhës dhe kënaqet se asnjë prej padronëve të tij nuk po i kuptonte hiletë e tij, në një moment ai shprehet: Kot nuk bëhem politikan, duke nënkuptuar premtimet e dhëna e të pambajtura të politikës shqiptare.
Loja aktoriale
Në komedinë e Hervin Çulit ishin mpleksur dy grupe aktorësh; ata më të vjetrit Muharrem Hoxha, Roland Koça, Sanie Hoti e Gjergj Doçi dhe aktorët e rinj që premtojnë shumë për të ardhmen. Besmir Bitrakut, Xhejni Famës, Eralda Çaushit dhe Ervin Dokos i ishte bashkuar aktorja Adelina Muça, e cila dhe herë të tjera ka zbritur në Durrës për të interpretuar në pjesët teatrale të vëna në skenën e “Aleksandër Moisiut” nga regjizori Hervin Çuli.
Megjithë kohëzgjatjen e saj, rreth 2 orë e 20 minuta, shfaqja ishte mjaft dinamike, me të papritura dhe ngatërresa të shumta, filli lidhës i së cilave ishte personazhi kryesor i saj, shërbëtori Trufaldino, i interpretuar nga humoristi i njohur durrsak Muharrem Hoxha. Nga njëra skenë në tjetrën, Trufaldino ngatërrohet gjithnjë e më shumë në lëmshin e gënjeshtrave që gjuha e tij e gjatë lëshon pa hesap, por gjithsesi arrin të shpëtojë paq, madje në fund të komedisë kurorëzon në martesë dashurinë e tij për shërbëtoren e zonjushës Klariçe
Të njohur për interpretimin e tyre plot humor Roland Koça dhe Sanie Hoti edhe në këtë komedi arritën të sjellin dy karaktere tipike të asaj kohe, një të pasur koprac që martesën e vajzës së tij e sheh si motiv përfitimi dhe një shërbëtore “të ndershme” që kërkon të martohet. Vlen të theksohet fakti se në të dy rolet e shërbëtoreve të interpretuara gjatë këtij viti (në komedinë “Stjuardesat” dhe në “Arlekini,…”) Hoti ka realizuar një interpretim brilant dhe plot humor, gjë që është pritur mirë nga publiku. Megjithëse teatri në përgjithësi është duke kaluar vështirësi kjo edhe për shkak të problemeve financiare si pasojë e shkurtimit të fondeve të ngushëllon fakti që në trupën e Durrësit ka aktorë të rinj, të talentuar, që sigurojnë për të ardhmen një bazë të sigurt për vazhdimësinë e teatrit “Aleksandër Moisiu”.
Ndërsa në janar të vitit të ardhshëm teatri i Durrësit feston 60 vjetorin e krijimit duket se tradita mjaft e mirë e krijuar në vite nga emrat më në zë të kësaj trupe si Nikolin e Meropi Xhoja, Spiro e Vera Urumi, Vangjel Heba, Lutfi Hoxha, Todi Thanasi e shumë e shumë të tjerë do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. I vetmi peng i artistëve është mungesa e vëmendjes apo më mirë indiferenca që tregon pushteti lokal ndaj tyre, madje edhe në këtë përvjetor të rëndësishëm të jetës së teatrit të qytetit.
Komedia e ngatërresave
Ndërsa pasaniku Pantalone është duke festuar fejesën e vajzës së tij, Klariçe me bukuroshin Silvio, në shtëpinë e tyre shfaqet shërbëtori Trufaldino, i cili për fatin e keq të të gjithë të pranishmëve njofton se zotëria i tij, Federigo Rasponi, ka ardhur në Venezia dhe kërkon të takohet me Pantalonen. Të riut të pasur, Pantalone i kishte premtuar dorën e vajzës së tij, por pasi kishte marrë vesh se Federigo ishte vrarë ai zgjodhi djalin e doktorit si dhëndrin e tij të ardhshëm. Mbërritja e Federigos shkakton shqetësim tek të gjithë, por në të vërtetë pas portretit të të riut torinez fshihet motra e tij Beatriçe. Federigo në të vërtetë ka vdekur, i vrarë aksidentalisht nga dora e Florindos, të dashurit të Beatriçes. Pas largimit të Florindos nga qyteti, Beatriçe është veshur si burrë dhe është vënë në kërkim të të dashurit të saj. Fati e sjell që shërbëtori i saj Trufaldino, të nisë punë edhe për Florindon, i cili sapo ka mbërritur në Venecia. Pas ngatërresash të shumta, gënjeshtrave dhe situatave plot humor më në fund gjithçka arrin të sqarohet dhe të gjithë, ashtu siç e do komedia, janë të lumtur e të gëzuar. Me këtë komedi dramaturgu italian Karlo Goldoni ndryshoi mënyrën e të bërit teatër duke i dhënë jetë asaj që u quajt “Epoka e madhe Goldonia”. “Arlekini, shërbëtori i dy zotërinjve” ishte pjesa që ndërtoi bazat e komedisë botërore të teatrit modern.