Epidemia e Ebolës në lindje të Republikës Demokratike të Kongos vijon të përhapet, me rritje të rasteve dhe shtrirje në zona të reja, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani janë regjistruar 676 raste të konfirmuara dhe 136 viktima nga një variant i rrallë i virusit, për të cilin nuk ka ende vaksinë apo trajtim të miratuar.
Shumica e rasteve janë identifikuar në provincën Ituri, por virusi është përhapur tashmë në 34 zona shëndetësore në Ituri, Kivu i Veriut dhe Kivu i Jugut.
Zyrtarët e OBSH paralajmërojnë se pothuajse çdo ditë zbulohen raste të reja në zona të ndryshme, duke reflektuar përhapjen e gjerë të epidemisë dhe lëvizjen e madhe të popullsisë.
Sipas tyre, sistemi shëndetësor në vend është i dobët dhe situata e sigurisë e vështirëson reagimin ndaj epidemisë, megjithatë autoritetet kanë përvojë në menaxhimin e rasteve të Ebolës.
OBSH thekson nevojën për forcimin e monitorimit, gjurmimin e kontakteve dhe diagnostikimin e shpejtë të rasteve, si dhe zbatimin e masave bazë si varrime të sigurta dhe trajtim i menjëhershëm i të infektuarve.
Ndërkohë, në Ugandë, ku u konfirmua prania e virusit në maj, autoritetet shëndetësore kanë bërë të ditur se situata është vënë nën kontroll.





