DURRËS, 17 maj 2015 – “Porti tani është mbushur përsëri dhe duhet pastruar. Në ç’vit e bëtë pastrimin e tij të fundit?”, pyeste 42 vjet më parë, më 5 maj 1973, diktatori Enver Hoxha kuadro e drejtues të Partisë dhe të pushtetit të rrethit të Durrësit (ku përfshihej dhe Kavaja e Rrogozhina). Edhe pse nuk bënte mitingje dhe vizita të bujshme në Durrës, udhëheqësi komunist tregonte vazhdimisht vëmendje për qytetin bregdetar, ku pushonte gjatë verës në bllok, kurse djali i madhe, Iliri, punonte si inxhinier në ish-uzinën e mekanikës bujqësore (UMB) në Shkozet. Më 5 maj 1973 Enver Hoxha shkoi në Durrës, ku vizitoi disa familje dëshmorësh. Pasi bëri homazhe në varrezat e dëshmorëve, në një nga sallat e hotelit “Iliria” / “Vollga” zhvilloi një bisedë me kuadro e drejtues të Partisë dhe të pushtetit të rrethit të Durrësit në formë “interviste”. Shefi i regjimit tregoi interes për portin detar, ku kryhej pjesa më e madhe e vëllimit të tregtisë së jashtme të vendit. Atij i interesonte sidomos problemi i akuatoriumit dhe kanalit hyrës, që kishin 6 vjet pa u pastruar. Hoxha vuri theksin dhe për rritjen e prodhimit të perimeve, sidomos për eksport. “Dyrrah”-u zbardh një procesverbal të bisedës, që ruhet në arkivin qendror të shtetit.

ENVER HOXHA: Koha sivjet na i vonoi punimet në bujqësi, na krijoi ca vështirësi, po kam besim se, duke u bërë bimëve një shërbim të mirë, çdo gjë do ta kapërcejmë. Sukseset arrihen me punë. Në sektorët e tjerë të ekonomisë nuk jemi keq, sidomos në industri jemi mirë. Kudo shihet një mobilizim i madh në punë, megjithatë, mendoj se për të përballuar punët që kemi, duhet të kujdesemi më shumë për shtimin e mekanizimeve, sepse numri i punëtorëve është i pamjaftueshëm. Disa mekanizma ne do t’i sjellim nga jashtë, por edhe vetë mund e duhet të prodhojmë në vend e të zgjidhim shumë probleme. Ja, për shembull, mjaft nga këto anije-mauna mund t’i prodhojmë vetë, sepse edhe lëndën e parë të drurit e kemi në vend.

ILJAZ REKA [sekretar i parë i komitetit të partisë së rrethit]: Ofiçina e portit prodhon 15-20 autovinça në vit.

ENVER HOXHA: Sa tonësh janë ata?

ILJAZ REKA: 3-5 tonësh.

ENVER HOXHA: Me fuqinë punëtore në port si jeni, a keni mungesa?

MARKO KAROLI [kryetar i komitetit ekzekutiv të këshillit popullor të rrethit]: Në port, shoku Enver, ka punë të rënda, sidomos për ngarkim-shkarkimin, prandaj e kemi shtuar numrin e punëtorëve këtu, duke sjellë

nga ndërmarrjet e tjera të rrethit dhe së shpejti do ta rritim akoma.

ENVER HOXHA: Si duket duhen shumë punëtorë, siç thoni, por besoj se kjo vjen ngaqë këtu ka front pune të vështirë. Porti tani është mbushur përsëri dhe duhet pastruar. Në ç’vit e bëtë pastrimin e tij të fundit?

ILJAZ REKA: Në vitin 1967, por, siç thatë ju, tani kanali i hyrjes së portit është mbushur dhe ka nevojë për t’u ripastruar, prandaj draga që kemi kërkuar është shumë e nevojshme. Mirëpo ajo na vjen në vitin 1975.

ENVER HOXHA: Siç shihet, pra, kemi nevojë për të tilla mjete, prandaj shumë prej tyre duhet t’i bëjmë vetë. Dhe, që të lehtësohet ca Porti i Durrësit, duhet të zgjerohen portet e tjera të vendit. Me prodhimet bujqësore si është tregu i qytetit të Durrësit, sidomos me zarzavatet?

MARKO KAROLI: Në përgjithësi jemi mirë, shoku Enver, se na furnizojnë edhe kooperativat, edhe ndërmarrjet bujqësore.

ENVER HOXHA: Më duket se shkodranët ua dinë më mirë lezetin zarzavateve. Shkodra nuk ka pasur vështirësi në furnizimin e gjithë popullit me perime. Para disa ditësh ishte në Shkodër shoku Ramiz [Alia] dhe na tha se dyqanet ishin plot me zarzavate, me qepë, me spinaq, me hudhra. Atje jo vetëm që ka zarzavate, por edhe ekspozohen e tregtohen mirë. Mirë do të ishte të futnim më shumë perime në frigorifer, mirëpo që të bëhet kjo duhet të prodhojmë më shumë.

ILJAZ REKA: Nga 9 hektarë serra që kemi në rreth, ne sigurojmë 20 për qind të të gjitha të ardhurave që sigurohen nga prodhimi i përgjithshëm i Ndërmarrjes Bujqësore të Sukthit, duke përfshirë të gjitha prodhimet, edhe ato blegtorale e bujqësore, edhe pemëtarinë etj.

ENVER HOXHA: Domethënë, po të keni tri të tilla si kjo e Shijakut, mund të dilni mirë me fitime.

ILJAZ REKA: Sivjet nuk i lajmë dot shpenzimet e serrave. Po besojmë se eksporti do të na ecë mirë. Ne kemi marrë telegrame nga vende të ndryshme ku çojmë perimet, ku na thonë se ata i pëlqejnë domatet tona, pasi janë më të mira nga ato të vendeve të tjera.

ENVER HOXHA: Në vendet e Evropës Qendrore e Veriore i kërkojnë dhe i pëlqejnë domatet nga Shqipëria, se në shijen e këtyre tonave, si duket, ndikon edhe dielli. Si jeni me ndërtimin e banesave? A e realizoni planin dhe si e realizoni?

ILJAZ REKA: 80 për qind të planit të ndërtimit të banesave ne e realizojmë me kontribut vullnetar, kurse 20 për qind e kryejnë ndërmarrjet e ndërtimit.

ENVER HOXHA: Më kanë thënë se me objektet e mbrojtjes shkoni mirë, po si bëni me fondet? Nga i siguroni ato, nga mjetet monetare të rrethit? Po materialet kush i siguron? Mos merren nga pjesa e caktuar për banesat dhe për këto nuk realizojnë detyrat? Prandaj besoj se është më mirë të përcaktohet që në fillim plani i çimentos, i hekurit, i tullave etj.

ILJAZ REKA: Ju erdhët në vitin 1971 dhe vizituat disa strehime, shoku Enver. Ne, që nga maji e deri në Kongresin e 6-të të Partisë, bëmë dhjetëra qendra zjarri të mëdha. Edhe në të ardhmen do të përpiqemi që mbrojtjen ta bëjmë sa më të fortë.

ENVER HOXHA: Tani të ngrihemi të shkojmë së bashku për të bërë vizitat që kemi caktuar.

 

 

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/