Kryeministri Edi Rama është pritur në Japoni me një ceremoni zyrtare dhe Gardë nderi nga Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi, gjatë vizitës së tij në Tokio.
Në nisje të takimit, Rama falënderoi për mikpritjen dhe vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, duke i cilësuar të bazuara në vlera dhe parime të përbashkëta.
Ai shprehu gjithashtu angazhimin për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Japonisë.
Nga ana e saj, Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi e cilësoi Shqipërinë një partnere të rëndësishme dhe vlerësoi përparimin e negociatave të vendit drejt Bashkimit Europian.
Ajo rikonfirmoi mbështetjen e Japonisë për integrimin e Shqipërisë në BE, në kuadër të bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor.
Takaichi vlerësoi gjithashtu rolin e Shqipërisë në stabilitetin e rajonit dhe shprehu gatishmërinë për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor dhe diplomatik mes dy vendeve.
Nga ana e tij, Rama u shpreh se kjo është vizita e tij e dytë në Japoni brenda një kohe të shkurtër dhe se marrëdhëniet dypalëshe po forcohen. Ai tha se Shqipëria mbështet vizionin e Japonisë për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur dhe se ekzistojnë mundësi të reja për bashkëpunim mes dy vendeve.
Në fund të takimit, Rama e ftoi Kryeministren japoneze për një vizitë në Shqipëri, në kuadër të Samitit të NATO-s që pritet të zhvillohet vitin e ardhshëm në Tiranë.





