Ladi krijoi një ishull “perëndimor”, URT-në, në Shqipërinë ku sundonte një izolim tërësor nga bota

Ladi apo Vladimir Mehmet Shehu, duhet të bëhet qytetar nderi i Durrësit. Dhënia e këtij titulli Ladit, pas vdekjes, nderon Durrësin. Ladi praktikisht e ka këtë titull, së paku për shumicën e durrsakëve që e dinë historinë e qytetit të tyre, në vitet 1970-80.  E thënë shkurt, Ladi dha kontributin kryesor që në Durrës të ngrihej një qendër studimore dhe një uzinë moderne e prodhimit të pajisjeve elektronike, ku u arrit të punësohen, përmbi 20 vjet rresht, mbi 1500 punonjës në vit. Ishte 23 vjeç kur filloi punën në URT (Uzina e Radiotelevizorëve Durrës, që në atë kohë, në vitin 1969, quhej UEM Durrës). Prodhimi i radiove dhe televizorëve kishte filluar në Durrës, para se Ladi të fillonte punë aty.  Por ishte një prodhim i vogël, krejt artizanal dhe me shumë ngarkesa amatorizmi. Merita e Ladit ishte se arriti të bënte që të kalohej në një uzinë moderne. Uzina filloi jo vetëm të bënte montimin përfundimtar të radiove dhe televizorëve, por edhe të prodhonte shumë pjesë të tyre dhe shumë pajisje të tjera elektronike, si kompjuter, pajisje automatike, pajisje për ushtrinë etj. Ishte fryma e tij perëndimore që iu kundërvu mbylljes komuniste të kohës. Ai arriti të porosiste shumë literaturë perëndimore, kryesisht amerikane që na transformoi me plot kuptimin e fjalës.

Ladi krijoi një ishull “perëndimor”, URT-në, në Shqipërinë ku sundonte një izolim tërësor nga bota. E gjithë kjo, kishte në bazë të vet, botëkuptimin perëndimor që kishte Vladimir Shehu. Ai shpesh më fliste mua personalisht kundër principeve bazë të komunizmit. Shumë kolegë çuditeshin se si kishte mundësi që i biri i kryeministrit Mehmet Shehu të ishte kaq filoperëndimor. Idetë perëndimore të tij shpreheshin jo vetëm në punët e uzinës, por edhe në letërsi, në histori, në muzikë, në art etj. Ishte njeri i lirë dhe perëndimor Ladi, prandaj e vrau komunizmi. Po, e vrau komunizmi, pavarësisht se edhe mund të ketë kryer vetëvrasje, sepse qe komunizmi që e shtyu ta bënte. Enver Hoxha e dinte se sa njeri i lirë ishte Ladi prandaj edhe sajoi atë farsën me “djalin e Mehmetit, që kishte prodhuar një radio speciale për t’u lidhur me amerikanët”.

Shumë nga ne të URT-së, e dinim se “ajo radio speciale” ishte thjesht një prodhim eksperimental që Ladi e bënte për mbrojtjen e studimit të tij për marrjen e doktoratës. Natyrisht që mund të ketë ndonjë ziliqar nga ndonjë shoqatë që e quan veten të Durrësit, që do të thotë “ai nuk ishte durrsak”.  Jo, Ladi ishte durrsak e kaluar shumë durrsakëve që mburren se paskan ardhur në Durrës, “jo në 1970, por në 1968”, e të tjera mëtime të tilla që synojnë veç që të zvogëlojnë konkurrencën për nderimin e njerëzve që i kanë dhënë Durrësit. Apo, mund të dalë ndonjëri e të thotë: “Përse, të birin e një krye-komunisti do ta bëjmë qytetar nderi!?”  Do t’i thosha: Mos u bëj hipokrit, se Durrësi ka bërë “qytetar nderi” vetë krye-komunistët, bile dhe pret me brohoritje edhe atë kryetarin e partisë antikomuniste, atë që ka qenë vetë kryekomunist, e jo që ka pasur të atin. T’ua lemë lidhjen e bijve me biografitë e prindërve komunizmit, e mos ta përcjellim atë murtajë, luftën e klasave, në post komunizëm.

E fundit, por jo më pak e rëndësishmja. Janë me mijëra durrsakë që e kanë njohur Ladin dhe është detyrë e tyre që të shprehen, qoftë dhe me shkrime që Ladit t’i jepet minimumi titulli “Qytetar nderi i Durrësit”.