Prej shumë vitesh ajo drejton një nga institucionet më të rëndësishme kulturore të qytetit, bibliotekën publike. Me ngrohtësinë që rrezaton dhe bagazhin kulturor dhe intelektual që mban mbi supe, Flora Dervishi, është një femër që gjithë jetën e saj e ka ndarë mes familjes dhe librave, miqve të saj më të dashur.

E pozicionuar në pjesën më të madhe të kohës në një kolektiv femëror Dervishi thekson se nuk e ka ndjerë shumë skepticizmin e meshkujve përsa i përket një shefeje femër, gjithsesi ajo në të njëjtën kohë kërkon të nënvizojë faktin se ka gjetur mirëkuptimin e eprorëve meshkuj për projekte të ndryshme që kanë lidhje me institucionin që drejton. Ndërsa pranon se drejtimi i një institucioni dhe ndjekja e karrierës shoqërohet gjithnjë me sakrifica të ndryshme nga një femër Dervishi kërkon të theksojë se në karrierë dhe në projektet që kërkon të aplikosh jo gjithnjë mund të fitosh, pasi në disa raste burokracitë shtetërore të pengojnë dhe kjo nuk ka lidhje domosdoshmërisht me faktin e të qenurit femër.

Sa e vështirë është të jesh grua në karrierë në ditët tona dhe cilat janë problematikat më të shpeshta me të cilat përballeni qoftë me eprorët apo vartësit tuaj meshkuj?

Nuk besoj se duhet theksuar fjala karrierë. Eksperiencat e punës time janë në fushën e infrastrukturës edukative (me balancë të ndarë përmes: arsim–kulturë). Jam ndier mirë në profesionin tim ku jam diplomuar dhe kualifikuar. Nuk jam ndier e paragjykuar nga shefat e mi (drejtorë përkatësisht të arsimit, por edhe në kulturë, madje deri në ministrin e linjës. Për këtë flasin faktet). Madje, jam ndier e vlerësuar. Mund edhe të ketë pasur shfaqje, por ato kanë qenë sporadike dhe jo domosdoshmërisht nga shefat. 

A ju është dashur të sakrifikoni për të arritur objektivat që i keni vënë vetes?

Të jesh e përgjegjshme dhe pasionante në detyren që kryen, sigurisht që duhet të sakrifikosh; duke nisur nga oraret, mungesa në pushimet kreative, mungesa edhe në jetën familjare, pa ekzagjeruar. Por këto janë sakrifica institucionale. Kujtoj këtu kërkimet dhe aplikimin në disa projekte që institucioni të fitonte imazhin e kohës si p.sh. të hynim që në fillim në IT, zgjerimi i rrjetit te shërbimit bibliotekar, kualifikimet, këmbëngulja për respektimin e  kritereve zyrtare  në rekrutimin e elementit të ri etj. Natyrisht jo gjithmonë ia kam arritur. Po kjo ka të bëjë me konceptet e administratës dhe jo me të qenurit grua.

A përballeni me skepticizmin e burrave gjatë ushtrimit të detyrës?

Nëse pyetja konsiston përsëri tek shefat jo. Nëse e keni fjalën për stafin e bibliotekës dihet që mbizotëron elementi femëror, ndërsa kemi një koleg pa paragjykime të tilla. Skeptizimi mendoni se është sëmundje e burrave? Në kërkesat e mia mendoj se kam pasur të drejtën me vete. Sakrificë është edhe të bindësh shefat apo ata që e shohin bibliotekën si një vend të qetë për të përmbushur interesat e tyre, që nuk kanë kulturën e komunikimit apo dhe që vegjetojnë. Më  vjen ndërmend tani një varg i Nolit. “pranë dijes i panxënë../” 

Gjithnjë flitet për vështirësitë që mund t’i krijohen një femre nga kolegët e saj meshkuj, por pak flitet për raportet me vartëset femra. Si mund t’i vlerësoni këto raporte?

Raportet me femrat i konsideroj normale, jo pa vështirësi, ndërsa nuk kam drejtuar kolektiv me burra, ndërsa raportin me shefa e përmenda si pozitiv.

Numri i grave të angazhuara në pozicione drejtuese në parti politike, në biznes, në administratën publike etj. ka ardhur duke u rritur vitet e fundit. Sipas jush çfarë duhet bërë më shumë në këtë drejtim për t’i dhënë femrës vendin që meriton?

Emancipimin e shoh si proçes social historik. E rëndësishme është të mos ecim sipas moduleve të njëjta. Jo grua militante, por gra me angazhime qytetare. Pra jam për meritokracinë, jo gardianet e kutive të votimit. Nëse kërkohet integrim nëpërmjet kulturës, atëherë sa gra që drejtojnë në kulturë e realizojnë këtë me hapa konkretë? Roli i gruas njeh rritje sidomos në periudhën e demokracisë. Natyrisht, kur i ngrenë me forcë partitë politike këto janë objektiva të tyre, që i llogarisin me përqindje. Nuk kam provuar, por sipas opinioneve në media dhe në realitet e di që lufta për t’u pozicionuar gratë është shumë më e vështirë.