8 pikë larg zonës së ftohtë nuk janë ende një siguri matematike për Armando Cungun dhe Vllazninë e tij. Trajneri shkodran kërkon një tjetër sukses këtë fundjavë për të larguar pëorfundimisht frikën e rënies nga Kategoria Superiore. Fusha e stadiumit “Reshit Rusi” do të hapë dyert për një tjetër sfidë vendimtare mes Vllaznisë dhe Teutës, dy skuadra me objektiva të ndryshëm por me një mision , fitoren në javën e 29-të.

Kuqeblutë vijnë në këtë përballje pas leksionit të veçantë në bibliotekën e qytetit, ku trajneri zgjodhi një mënyrë të veçantë për t’u vënë në dukje rëndësinë e qytetit dhe fanellës, ndërsa për më tepër nuk numëron mungesa të rëndësishme pasi Erald Çinari është bashkuar me grupin. Në 4 ndeshjet e fundit, Vllaznia numëron 3 fitore dhe vetëm një disfatë në fushën e kampionëve të Skënderbeut. Sulmi i ndërtuar nga Armando Cuingu është treguar efikas, ndërsa mbrojtja ka arritur të korrigjojë defektet e fazave të para. Trajneri shkodran ka kërkuar që skuadra të mos lëshojë terren pasi gara e mbijetesës mbetet e hapur dhe është pikërisht përqëndrimi i grupit çelësi i suksesit pasi gjatë ndeshjeve të fundit, Vllaznia është shfaqur një skuadër më e pjekur dhe e aftë për t’i bërë dëm çdo kundërshtari.

Në krahun tjetër, Teuta mbetet në garë për një biletë europiane dhe stacioni i Shkodrës është ndoshta një nga më të rëndësishmit e sezonit. Dy ndeshje rresht pa fitore, por vetëm 3 pikë larg Kukësit të vendit të tretë. Gugash Magani nuk heq dorë dhe beson se një 3 pikësh ndaj Vllaznisë do të rikthejë besimin e skuadrës së re që ka në dispozicion. Trajneri peqinas, ashtu si kolegu i tij, ka arritur të ngrejë një grup të suksesshëm. Hap pas hapi Teuta është konfirmuar si surpriza e këtij sezoni dhe me këtë bindje, durrsakët udhëtojnë drejt Shkodrës me objektivin e qartë, fitore për të ndjekur ëndrrën europiane.