Mbledhja e Komisionit Rregullator të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e thirrur për të shqyrtuar projektvendimin “Për shtyrjen e orarit të votimit për 55 qendra votimi në qarkun Vlorë”, ka dështuar pas largimit të anëtarëve të opozitës.
Partia Socialiste ka parashtruar të shtunën në KQZ kërkesën për shtyrje të afatit të votimit deri në orën 22:00 në qytetin e Vlorës, për shkak të eventit sportiv “Giro d’Italia” që mund të ketë ndikuar në proces. Megjithatë sot nuk është arritur kuorumi në mbledhjen e Komisionit për ta miratuar këtë propozim.
Mbledhja u zhvillua me kërkesë të anëtarit të Rregullatorit, z. Arens Çela, dhe ishte parashikuar të mbahej në orën 17:00. Por menjëherë pas nisjes, anëtarët e zgjedhur nga radhët e opozitës u larguan nga salla, duke e bërë të pamundur vijimin e mbledhjes.
Pas tyre, mbledhjen e braktisi edhe juristi i Partisë Demokratike, Franci Nuri.
Ndërkohë, anëtarët e zgjedhur nga mazhoranca vijuan të qëndronin në sallë, por pa kuorumin e nevojshëm për të marrë vendime. Kryetari i mbledhjes, Ilirjan Muho, sqaroi se pa kuorum nuk mund të procedohej më tej.