Policia e Tiranë ka arrestuar një 46-vjeçar, i cili vodhi në një automjet të parkuar një çantë brenda së cilës kishte shuma të mëdha parash në euro, dollarë e lekë.

Policia bën me dije se 46-vjeçari rezulton i dënuar disa herë për të njëjtën veprimtari kriminale.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit se në automjetin e shtetases B.L, i parkuar në zonën e Medresesë, kishin vjedhur çantën brenda së cilës kishte një shumë të konsiderueshme parash (rreth 47 milion lekë, një pjesë në euro dhe dollarë), kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Përsëritësi”. u bë i mundur identifikimi, lokalizimi, kapja dhe ndalimi i autorit të dyshuar të vjedhjes, shtetasit:

G. T (M), 46 vjeç, banues në Elbasan, i dënuar më parë disa herë për vjedhje.

Gjatë kontrollit të banesës së 46-vjeçarit, shërbimet e Policisë kanë gjetur e sekuestruar  rreth 45 milionë lekë, (një pjesë në euro dhe dollarë) që ky shtetas kishte vjedhur.