22 qershor 2015 – Të burgosurit kanë pasur mundësi të votojnë për kandidatët e qyteteve ku ata vuajnë dënimin. Me shumë interes është pritur votimi në burgun 302 në Tiranë, ku janë të burgosur disa emra të njohur.

Siç raporton ‘Panorama’, në këtë burg ka votuar deputeti Mark Frroku, nipi i diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha, dhe Dritan Dajti, i dënuari me burg të përjetshëm për vrasjen e 4 policëve në 2009-n në Durrës.

Gazeta ‘Panorama’ sjell këto foto dhe zbardh një batutë të Frrokut, duke votuar.

Teksa ka firmosur në listën e zgjedhësve, një nga vëzhgueset femra, i është drejtuar Frrokut:

-“Mirë zemra?”

-“Mirë, faleminderit, si je vetë?” ia ktheu Frroku.

-“E kisha për zemrën zoti Frroku,” tha ajo, duke iu referuar problemeve shëndetësore që ka pasur deputeti.

-“Ëhë, mirë edhe ajo,” u përgjigj Frroku, duke shkaktuar të qeshura.

Ndërsa, Dritan Dajti, u shfaq në krah të Pjerin Xhuvanit, ish- drejtues i DRSKSH për skandalin e rimbursimit të ilaçeve.

“Drejtori është gabimisht këtu. Unë pres ndonjë ministër, këta më sjellin një drejtor. Edhe dy ministra nuk do ishte keq,” tha Dajti me ironi.

Sa i përket veshjes që ‘vipat’ e burgut zgjodhën për të votuar, ndryshonin nga njëri-tjetri. Mark Frroku nuk doli nga ‘petku’ i deputetit, i cili kishte veshur pantallona dhe këmishë serioze. Por, krejt ndryshe u paraqit Ermal Hoxha, i veshur me bluze të verdhë dhe pantallona të shkurtra.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/