Drejtori i Policisë së Durrësit, Skender Hitaj ka dalë në një konferencë për mediat, ku ka folur në lidhje me vrasjen e 32-vjeçares Luljeta Preza në Urën e Dajlanit.

Ai tha se është bërë në kohë rekord identifikimi dhe arrestimi i dy autorëve të ngjarjes, Aldo Ibrahimi dhe Ylli Grabovari.

Po ashtu janë proceduar penalisht edhe 3 shtetase, të cilat kanë qenë të pranishme në momentin e krimit, por nuk e kanë kallëzuar atë deri në momentin që janë shoqëruar në polici.

Hitaj shton, se pas kësaj ngjarje të rëndë, vëmendja ndaj këtij fenomeni do të jetë e shtuar.

Nga veprimet e thelluara hetimore , nën drejtimin e Prokurorisë Durrës, u bë dokumentimi i plotë i ngjarjes. U përcaktua qartë mekanizmi dhe roli i personave të përfshirë në të.

U bë e mundur identifikimi dhe kapja e autorëve në kohë rekord. Ka nisur procedimi në gjendje të lirë edhe për tre shtetase të tjera, njëra prej tyre e mitur.

Këta shtetase deri në momentin e shoqërimit në polici, nuk e kishin kallëzuar krimin.

Shprehim vendosmërinë se nisur nga kjo ngjarje e rëndë do t’i kushtohet një vëmendje e veçantë këtij fenomeni” tha ai.