Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e 66-vjeçarit Rexhep Ismaili, ngjarje e rëndë e ndodhur mbrëmjen e 7 majit në fshatin Gjashtë.
Ismaili, i njohur në zonë si pronar i një karburanti dhe lokalit “Vëllezërit Ismaili”, mbeti i vrarë brenda ambientit të biznesit të tij pas një konflikti të dhunshëm mes disa personave.
Sipas informacioneve paraprake, gjithçka nisi rreth orës 21:28, kur një grup prej rreth 10 personash kanë mbërritur në lokalin e 66-vjeçarit.
Dyshohet se ata kishin konflikt të mëparshëm me një të ri nga zona, për çështje pronësie. Në atë moment, personi me të cilin kishin konflikt ndodhej në verandën e lokalit së bashku me Rexhep Ismailin dhe disa persona të tjerë.
Fillimisht mes palëve ka pasur debat verbal, por situata është tensionuar shumë shpejt duke degraduar në përplasje fizike me sende të forta. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se grupi i të rinjve ka hyrë me forcë në ambientet e lokalit, duke sulmuar personin me të cilin kishin konflikt, ndërsa 66-vjeçari ka ndërhyrë për të shuar sherrin dhe për të larguar personat nga biznesi i tij.
Në kulmin e konfliktit, Rexhep Ismaili është futur në pjesën e brendshme të lokalit dhe më pas ka dalë me një armë zjarri tip AK-47, duke qëlluar disa herë në drejtim të grupit. Nga ana tjetër ka pasur kundërpërgjigje me armë zjarri tip pistoletë dhe një plumb e ka goditur 66-vjeçarin në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendngjarje.
Pas krimit, autorët janë larguar me shpejtësi nga zona. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një automjet luksoz Audi Q8, i cili dyshohet se u përket personave të përfshirë në konflikt. Deri tani autorët e dyshuar ende nuk janë kapur nga policia, ndërsa kontrollet vijojnë në disa zona për lokalizimin dhe arrestimin e tyre.
Burime bëjnë me dije se deri tani janë shoqëruar të paktën 5 persona në polici, të cilët po merren në pyetje lidhur me rrethanat e ngjarjes dhe konfliktin që çoi në përplasjen fatale. Hetuesit po punojnë për të identifikuar autorin e plumbit që i mori jetën 66-vjeçarit, si dhe për të dokumentuar rolin e secilit prej personave të përfshirë.
Rexhep Ismaili ishte një emër i njohur në zonën e Sarandës. Përveç karburantit dhe lokalit “Vëllezërit Ismaili”, ai dhe vëllai i tij kishin në pronësi edhe plazhin e njohur Pema e Thatë në Ksamil. Gjithashtu, ai mbante edhe detyrën e drejtuesit të Shoqatës “Çamëria”, dega Sarandë.
Policia dhe grupi hetimor vijojnë punën intensive për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa pritet që në orët në vijim të ketë zhvillime të reja lidhur me identifikimin dhe kapjen e autorëve.





