AQUILA – Tre ditë pas vrasjes së shqiptares Orjeta Boshti dhe partnerit të saj Shpëtim Hana nga ish bashkëshorti Burhan Kapllani, atmosfera në qytezën ku ata banonin është e zymtë. Megjithëse ishin emigrantë shqiptarë, i gjithë komuniteti i zonës është prekur nga ngjarja tragjike që i mori jetën gruas 36 vjeçare, nënë e katër fëmijëve të mitur.

Në një reportazh të tij nga qyteza e Aquilanos, Abruzzoweb.it shprehet se vrasja e regjistruar pasditen e së enjtes ka tronditur thellë banorët e provincës, të cilët rreth tre vjet më parë u përballën me tërmetin shkatërrimtar të 6 prillit 2009, plagët e të cilit ende nuk janë fshirë.

Në prononcimet e banorëve ndihet dhimbja që ata përjetojnë për 4 fëmijët e çiftit, që tashmë kanë mbetur pa nënën, e vrarë nga dora e babait të tyre.

“Është një histori e dhimshme, në një moment ai burrë shkatërroi shumë jetë”,- thotë një e moshuar.

“Mendoj për ata fëmijë të gjorë që do të rriten pa nënën e tyre dhe më vjen keq, sepse një dhimbje e tillë nuk shuhet kurrë”,- shton një djalë i ri.

Fëmijët e çiftit po qëndrojnë në shtëpinë, ku deri disa ditë më parë banonin së bashku me nënën e tyre. Për ta janë duke u kujdesur gjyshërit nga e ëma dhe dy xhaxhallarët.

Solidariteti i komunitetit për funeralin

Trupat e Orjeta Boshtit dhe Shpëtim Hanës do të varrosen në atdhe. Sjellja e trupave në atdhe kushton rreth 5 mijë euro për secilin dhe për këtë qëllim persona të afërt me familjen janë duke kontribuuar për të mbledhur shumën e nevojshme. Gjesti i solidaritetit, megjithëse i vogël, kontribuon për t’i dhuruar qetësinë e merituar çiftit që humbi jetën pas një akti të pashembullt xhelozie nga ana e Burhan Kapllanit. 

Autopsia e 36 vjeçares dhe partnerit të saj 39 vjeç do të realizohet ditën e hënë, e më pas arkivolet me trupat e të ndjerëve do të kthehen në vendin e tyre të origjinës.

Dëshmitarë të ndryshëm, që i kanë njohur nga afër Orjetën dhe Burhanin bëjnë të ditur se pas divorcit me të shoqen 49 vjeçari shqiptar ishte bërë i dhunshëm edhe me vajzat e tij. Ai e quante fajtore 36 vjeçaren sepse nuk i ishte bindur urdhërit për të mos futur në shtëpi partnerin e saj.