Teksa vazhdojnë hetimet për vrasjen e Luljeta Prezës tek Ura e Dajlanit në Durrës, policia ka arrestuar sot një tjetër person, për të cilin u zbulua se ka shfrytëzuar për prostitucion 15-vjeçaren, një nga vajzat prezente gjatë krimit.

Kështu, në vijim të veprimeve për operacionin “Deluzion”, u arrestua shtetasi Eridon Patlli, 24 vjeç, banues në Durrës.

Policia njofton se: Në vijim të hetimeve të thelluara të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, për dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve të proceduar penalisht për vrasjen e shtetases L. P., 32 vjeçe, trupi i së cilës u gjet poshtë urës së Dajlanit, më datë 02.08.2023, rreth orës 10:35, ju bëjmë me dije se:

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin E. P., 24 vjeç, banues në Durrës, pasi më datë 02.08.2023, ka kallëzuar shtetasja 15 vjeçe, e proceduar në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, ditën e djeshme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Deluzion”, se gjatë kohës që ka bashkëjetuar me shtetasin E. P., ky i fundit e ka shfrytëzuar për prostitucion.

Ndërkohë për vrasjen e Luljetës, janë arrestuar shtetasit Aldo Brahimi dhe Ylli Grabovari, teksa ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për shtetaset B. S., 28 vjeçe, M. M., 26 vjeçe dhe për 15-vjeçaren, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi kanë qenë prezente gjatë ngjarjes, por asnjëra nuk ka kallëzuar në Polici.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.