Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e vona të ditës së djeshme, ku një person është vrarë në Ksamil.

Policia bën me dije se viktima është 50-vjeçari Vangjel Çiko, babai i Dhimitër Çikos, i cili ndodhet në burg për vrasjen e Aleksander Bardhit, 47-vjeç, i ekzekutuar me 24 shtator 2016 në fshatin Shendelli teksa punonte në arën e vet.

Ai është qëlluar në oborrin e banesës së tij, brenda në makinë. Ende nuk dihet dinamika e plotë e ngjarjes, ndërsa policia sqaron se ka ngritur menjëherë pika të shumta kontrolli dhe janë angazhuar shërbimet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Grupi hetimor po vazhdon kryerjen e hetimeve për zbulimin dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes si edhe për kapjen e autorit.