Pas një takimi me presidentin francez, Emmanuel Macron, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, theksoi se bota po hyn “në një epokë turbulente që do të zgjasë” dhe se “është mirë që Serbia e ka një aleate të madhe në Evropë, Francën”. Ai shtoi se ky është një moment i rëndësishëm për Serbinë, pasi Franca është një partner i fuqishëm dhe mbështetës në arenën ndërkombëtare.
Vuçiç u shpreh se gjatë takimit me Macronin diskutuan për çështjet gjeopolitike dhe situatën aktuale në Serbi. “Kemi diskutuar për një sërë çështjesh lidhur me të ardhmen evropiane të Serbisë dhe i kërkova Francës që të marrë pjesë në Expo 2027 në Beograd, dhe mendoj se kemi marrë një përgjigje pozitive”, tha ai.
Presidenti serb gjithashtu komentoi situatën e tensionuar në Republikën Sërpska, një entitet në Bosnje dhe Hercegovinë, duke theksuar se ky është një nga problemet më të vështira që po përballet Serbia. “Kam luftuar që të gjendet një zgjidhje kompromisi. Nuk mund ta pranoj që e vetmja zgjidhje është arrestimi [i presidentit të Republikës Sërpska, Millorad] i Dodikut. Kjo nuk është zgjidhje, është krijim i problemeve”, deklaroi ai.
Duke folur për bllokadat dhe protestat që kanë shpërthyer në Serbi, Vuçiç i tha Macronit se shteti i tij ka përjetuar një periudhë të vështirë për shkak të këtyre ngjarjeve. Protestat e studentëve, të cilët kanë kërkuar llogaridhënie për tragjedinë në Novi Sad, janë bërë simbol i një pakënaqësie më të gjerë në lidhje me sundimin e ligjit në Serbi. Studentët janë të shqetësuar për neglizhencën e mundshme të sistemit dhe korrupsionin që mund të ketë çuar në aksidentin fatal që mori jetën e 16 personave.
Vuçiç tha se autoritetet serbe janë përballur me “terror” në katër muajt e fundit, për shkak të tensioneve sociale dhe kërkesave të qytetarëve për drejtësi.