"West side story", shfaqja e njohur muzikore amerikane erdhi këtë herë në versionin shqiptar nga nxënësit e shkollës së mesme artistike "Jan Kukuzeli" dhe ata të shkollës 9-vjeçare "Viçens Prenushi". Dega e kantos së shkollës artistike e solli për herë të parë në skenë këtë shfaqje ditën e 7 marsit, festës së mësuesit, ndërkohë që këtë fundjavë shfaqja erdhi për artdashësit durrsakë.

Duke marrë parasysh vështirësitë e një shfaqjeje të tillë dhe faktin se shumë prej të rinjve dilnin për herë të parë në skenë ata arritën të përcillnin emocion tek publiku në sallë, për më tepër që pjesa më e madhe e shfaqjes ishte në anglisht. Siç tregon drejtoresha e shkollës "Jan Kukuzeli", Nevila Kalaja, është hera e parë që nxënësit e kantos së kësaj shkolle realizojnë një shfaqje kaq impenjative, që ndërthur në vetvete tri elementë artistikë siç është aktrimi, të kënduarit dhe vallëzimi.

Me gjithë ngarkesën dhe impenjimin maksimal që kërkon kjo shfaqje, Kalaja shprehet mjaft e kënaqur me punën e bërë nga nxënësit e saj. Ajo nënvizon gjithashtu se gjatë këtij viti mësimor, nxënësit e kësaj shkolle kanë organizuar tre aktivitete artistike mjaft të rëndësishme siç ishin koncerti i muajit dhjetor, "E enjtja muzikore" dhe shfaqja "West side story". Ndërkohë në mesin e muajit prill instrumentistët e rinj do të interpretojnë në një nga netët e të "Enjtes muzikore" krahas një instrumentisti profesionist të huaj duke realizuar kështu një tjetër sprovë të rëndësishme për të ardhmen e tyre në fushën e artit.

Interpretimi krahas një emri të njohur të muzikës instrumentale belge pritet ta bëjë edhe më impenjative paraqitjen e tyre para bashkëmoshatarëve, mësuesve, prindërve e artdashësve. 

Ndërkohë "West side story" është një histori amerikane e viteve '60, një version modern i "Romeo e Zhulieta". Dy të rinj, Toni dhe Maria, që i përkasin dy grupeve rivale në Amerikën e asaj kohe bien në dashuri, por historia e tyre kalon përmes peripecish të mëdha. Në ndryshim nga tragjedia e Shekspirit, në këtë shfaqje muzikore fundi është i lumtur, pasi vajza, Maria, arrin të vendosë paqen mes dy grupeve "të të fortëve" dhe kurorëzon dashurinë e saj me Tonin.

Mjuzikëlli është kompozuar nga Leonard Bernstein, ndërsa teksti mban vulën e Stephen Sondheim. Në shfaqjen muzikore "West side story" interpretuan 21 nxënës dhe ish-nxënës të shkollës "Jan Kukuzeli", ndërkohë që 22 valltarët vinin nga grupi artistik i shkollës italiane. Shfaqja u vu në skenë nën regjinë e Driada Dervishit, koreografia nën kujdesin e Andi Dahrit, drejtuese artistike Nevila Kalaja, ndërkohë që përpunimi muzikor u realizua nga kompozitori Ylli Ramzoti.