“WhatsApp” duket se ka nxjerrë një sërë përditësimesh në ditët e fundit për përdoruesit e versionit beta. Ndërsa shumë nga këto përditësime adresojnë shqetësime të ndryshme, shumë prej tyre prezantojnë veçori të reja që përdoruesit mund t’i testojnë. Me versionin beta të “WhatsApp”, aplikacioni po e rrit gjatësinë e videove që përdoruesit mund t’i publikojnë në story-t e tyre.

Aktualisht, përdoruesit e aplikacionit mund të postojnë video deri në 30 sekonda në story-t e tyre, por versioni beta e rrit gjatësinë e tyre në 1 minutë. Por, mesa duket ky funksion është i disponueshëm vetëm për testuesit beta të WhatsApp në Android. Aplikacioni popullor i mesazheve ende nuk e ka konfirmuar se kur kjo veçori do të jetë e disponueshme për të gjithë.

“WhatsApp” është gati të huazojë një tjetër veçori nga Instagram. Sipas mediave të huaja, përditësimi më i fundit beta i ‘Whatsapp” tashmë i disponueshëm në Google Play Store, përfshin aftësinë për të etiketuar kontaktet në storie. Ndërsa mbetet e paqartë nëse etiketimet do të jenë të dukshme apo jo për të gjithë kontaktet tuaja, ata që ju i etiketoni do të marrin njoftime të menjëhershme për përditësimin tuaj. Pra, funksionon në mënyrë të ngjashme si kur etiketoni dikë në storiet tuaja në Facebook dhe Instagram. Kjo veçori është aktualisht në zhvillim e sipër, por do të jetë e disponueshme së shpejti.

Nëse përpiqeni të fotografoni profilin e dikujt, nuk do t’ia dilni për shkak të kufizimeve të reja që ka vendosur “WhatsApp”, kjo është e ndaluar dhe ju do të merrni vetëm një imazh të ekranit të zi. Personi, fotografia e profilit të të cilit keni dashur të fotografoni ekranin, nuk do të marrë një njoftim për të, por as ju nuk do të merrni rezultatin e dëshiruar. Tani të gjithëve u ndalohet përfundimisht të marrin pamje nga ekranet e fotografive të profilit. Me shumë mundësi, Meta dëshiron të luftojë keqpërdorimin e fotove të të tjerëve në këtë mënyrë. Nëse dëshironi, mund të rrisni më tej privatësinë pra të kontrolloni se kush mund ta shohë foton tuaj të profilit në aplikacion.