E dashuruar pas futbollit dhe kuqezinjve. Milani, Kombëtarja dhe Flamurtari janë ekipet e zemrës. Xhenifer Sulo është një tifoze e rrallë e vlonjatëve, të cilët i ndjek në çdo ndeshje.
Ajo është shumë e lidhur me skuadrën e vendlindjes së saj dhe prezenca e brunes bukuroshe në stadium pa dyshim që tërheq vëmendjen jo vetëm të tifozëve, por dhe të futbollistëve.
Madje, këta të fundit nuk hezitojnë që ta kontaktojnë duke e komplimentuar për paraqitjen dhe praninë e saj gjatë ndeshjeve.
Në një intervistë për “Panorama Sport” 22-vjeçarja rrëfen pasionin e madh për futbollin, lojtarët dhe dëshirën për gazetarinë sportive.
Xhenifer, jeni një tifoze e Flamurtarit, skuadër të cilën e ndiqni dhe në transferta. Përse kaq e lidhur me këtë ekip?
Kam lindur në këtë qytet. Që e vogël babai më merrte me vete në stadium dhe me kalimin e kohës u bë pjesë e pandashme e jetës sime. Unë i adhuroj ngjyrat kuqezi. Jam tifoze e Milanit, Flamurtarit dhe Kombëtares. Më pëlqen shumë futbolli dhe dëshiroj që në të ardhmen të punoj si gazetare sportive.
Si ndiheni në stadium, mes tifozëve?
Shumë e lumtur, si në shtëpinë time.
Sa e afërt jeni me lojtarët dhe cilin prej tyre simpatizoni?
Pak me të gjithë. Danilo Alvesh është lojtari im i preferuar për momentin.
Kush mendoni se është lojtari që i jep zemër ekipit?
Nuk mund të veçoj një. Ndonëse mund të them që Danilo, Lushtaku, Telushi dhe Hoxha luftojnë shumë, japin maksimumin e tyre.
Si fanatikse që jeni, cila është dëshira/kërkesa juaj për lojtarët?
Të fitojnë Kupën dhe të japin maksimumin në kampionat. Nuk duhet që të humbasin më asnjë pikë.
Si do t’i motivonit?
Të afroj sa më shumë tifozë në stadium.
Duke qenë se jeni kaq e lidhur me futbollin, do të mendonit një futbollist si partner në jetën tuaj?
Për momentin jo, më vonë nuk i dihet.
Pra, do ta dëshironit një të tillë?
E kam pohuar gjithmonë. Sigurisht! Më pëlqen futbolli edhe futbollistët, si çdo femër që ndjek futbollin.
Ju ngacmojnë futbollistët?
Normalisht marr ngacmime si çdo femër nga shumë futbollistë, si në Vlorë, edhe kur jetoja jashtë.
Na flisni pak për këtë pjesë. Si ju ngacmojnë?
Kjo ndodh kur jam në kafe ose ka raste që më komplimentojnë dhe shkruajnë në rrjetet sociale “Facebook” apo “Instagram”.
Ndonjë rast konkret…
Kujtoj, kur po ndiqja në stadium ndeshjen ndaj Partizanit në “Qemal Stafa”, disa prej tyre më kontaktuan menjëherë në rrjetet sociale. Sesi arritën të më gjenin, nuk e di (qesh)…!
Për shembull, çfarë ju shkruajnë?
Shfrytëzojnë rastin meqenëse ndjek futbollin, ky është shkaku i parë se përse më shkruajnë. Pastaj, siç është natyra e meshkujve, fillojnë me komplimentet e tipit “ke stil të veçantë në veshje” etj.
Ju ftojnë për të dalë?
Kur kam pasur ftesa të tilla, bëhet fjalë për kohën kur jetoja jashtë, më kanë ftuar, por ndodhesha larg.
Besoj se nuk ju ngacmojnë vetëm futbollistët beqarë…
Më së shumti në Itali kam marrë ftesa nga lojtarë që ishin të martuar, ndërsa këtu mund të them beqarët.
Cilin nga lojtarët e Flamurtarit do të kurorëzonit “Mister”?
Hëm…, po Hoxha, Idrizi, Berisha janë simpatikë, por do të veçoja Rigers Dushkun.
Përgatiti: Eva Marku/ Panorama Sport