Durrsakët kanë shpërdoruar një mundësi për realizimin e objektivit, sigurimi i vendit të tretë në kampionat.Barazimi nuk është pritur aspak mirë nga i gjithë stafi, por dhe lojtarët e Teutës, të cilët ishin përgatitur për ta fituar ndeshjen.

Braziliani i Teutës, sulmuesi Xhonatan, barazimin me Flamurtarin e komenton si dështim, sipas tij skuadra ishte përgatitur shumë dhe kishte kohën e duhur që të ishte gati për këtë sfidë. Ai gjithashtu shton se nuk e priste zëvendësimin, pasi po luante mirë dhe po e mbante ekipin para.

“Barazimi në ndeshjen me Flamurtarin më ka lënë shije të hidhur, sepse për gati dy javë ishim përgatitur shumë për të dalë me tri pikë. I patëm mundësitë, por nuk mundëm që fitonim dhe u larguam nga fusha e stadiumit tonë me një pikë. Ndërprerja e kampionatit na dha më shumë mundësi për ta përgatitur ndeshjen si duhet, por fatkeqësisht nuk e morëm atë fitore që prisnim, mbase edhe ngaqë nuk zhvilluam lojën që duhej.

Sa i përket zëvendësimit tim, nuk e prisja, pasi po luaja mirë, po hapja lojën, si dhe ekipin po e mbaja para. Në këto kushte nuk e prisja që të lija fushën në këtë takim me Flamurtarin. Gjithsesi, janë zgjedhje taktiko-teknike të trajnerit dhe nuk kam çfarë të them më shumë. Dëshira ime ishte që të isha në fushë dhe të ndihmoja ekipin më shumë, ndoshta edhe duke shënuar. Tani duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës dhe të përmirësojmë ato gabime që bëmë në ndeshjen me Flamurtarin. Ajo që nuk merret në fushë nuk ia vlen ta komentosh. Le të mbetet aty dhe tani të fokusohemi te ndeshjet në vazhdim. Mundësitë për të shkuar në Kupat e Europës janë reale dhe duhet vetëm përqendrim e më shumë punë që të arrimë aty ku duam”, shtoi Xhonatan.