Vijojnë hetimet për vrasjen tronditëse të 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula, e cila u vra nga ish i dashuri i saj Mark Antony Samson.
Mediat italiane raportojnë se nëna e autorit është vënë nën hetim, pasi dyshohet se e ndihmoi djalin të fshihte trupin e pajetë të vajzës, duke e futur në një valixhe dhe më pas hedhur në një greminë.
Hetuesit dyshojnë se ajo ka dëgjuar klithmat e Ilarias dhe ka hyrë në dhomë pasi ishte kryer krimi. Më pas, besohet se ndihmoi të birin të pastronte vendin e ngjarjes në apartamentin e tyre në lagjen “Afrikano” në Romë.
E hëna e 7 prillit do të jetë vendimtare për hetimin, pasi nëna e Samson do të merret në pyetje nga Seksioni i Vrasjeve i Policisë së Romës. Pavarësisht se autori ka pranuar fajësinë, ai ka pretenduar se “ka vepruar i vetëm”, por hetuesit nuk përjashtojnë përfshirjen e prindërve.