Shqipëria dhe Italia sapo kanë përfunduar negocimin teknik të marrëveshjes për pensionet. Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj dhe ambasadori italian, Fabrizio Bucci dhanë më tepër detaje gjatë një daljeje për mediat.

“Marrëveshja që është dakordësuar mbulon pensionin e pleqërisë, sigurimit për përfitimet e barrëlindjes dhe sigurimin për papunësinë. Çdo shqiptar që ka punuar prej vitesh apo ka punuar një pjesë të viteve në Itali dhe në Shqipëri do t’i njihen vitet e pensionit në momentin që ky individ do të dalë në pension. Qeveria shqiptare e ka pasur me prioritet trajtimin e kësaj marrëveshjeje në të gjitha nivelet e komunikimit diplomatik dhe politikgjithashtu edhe qeveria italiane“.

Ambasadori i Italisë në vendin tonë Fabrizio Bucci u shpreh se marrëveshja finalizon mangësitë e të shkuarës.

“Është një marrëveshje e bazuar mbi reciprocitetin dhe shtetasit italianë mund të përfitojnë nga kjo marrëveshje. Është një moment shumë i rëndësishëm pasi është një urë tjetër që ne po ndërtojmë. Paguajnë kontributet dhe falë kësaj marrëveshje do të plotësojnë këtë mangësi që ekziston në këtë boshllëk në vendin tonë”.

Marrëveshja vlen për rreth 500 mijë shqiptarë në Itali dhe për mijëra italianë që punojnë e jetojnë në Shqipëri. Për të përfituar pension, qytetarët e dy shteteve duhen të kenë minimalisht 15 vite pune të siguruar, ndërsa për të përfituar pension të plotë pleqërie duhen 36 vite e 8 muaj punë e siguruar.