Policia e Vlorës ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e sotme, ku mbetën të plagosur me thikë babë e bir, Xhevdet dhe Albion Braushi.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30, në lagjen “1 Maji”.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, dyshohet se pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, R. K., ka plagosur me mjet prerës thikë, vjehrrin dhe kunatin e tij, përkatësisht Xhevdet dhe Albion Braushi, 60 dhe 30 vjeç.

Babë e bir ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Albion Braushi është në gjendje kritike për jetën dhe ka marrë mbi 8 goditje me thikë në trup. Kanë qenë kalimtarët ata që i kanë gjetur të plagosur në trotuar dhe i kanë dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Vlorës.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Shërbimet e Policisë po kontrollojnë zonën me qëllim lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.