Ka mbetur më pak se një vit nga zgjedhjet parlamentare që do t'i dhurojnë Shqipërisë qeverinë e ardhshme dhe shumë njerëz pyesin se kush do të fitojë. Populli diskuton, të gjithë improvizohen si analistë dhe analistët profesionistë preferojnë të heshtin.

Në fakt, ndërsa zhvillimet e krizës ekonomike duken gjithnjë e më të paqarta dhe në pritje për të njohur nëse presidenti i ardhshëm i SHBA do të jetë një eksponent i Partisë Demokratike apo i Partisë Republikane, bërja e parashikimeve politike në Europë dhe sidomos në Ballkan është më e vështirë sesa kapja e një basti sportiv. Edi Rama dhe PS e tij duken të sigurtë për fitoren, duke ngjallur një acarim të padurueshëm midis asaj shtrese të zgjedhësve që simpatizojnë për PD apo që, edhe pse janë të majtë, nuk digjen në dashuri për liderin aktual socialist. Nga ana tij, Sali Berisha vazhdon qetësisht me linjën e tij të bindjes absolute dhe të zbatimit të sheshtë të parimeve politiko-ekonomike të diktuara nga aksi Washington-Bruxelles, që nga ana e tyre janë vendosur nga magjistarët e financës të Wall Street (apo nga Club Bilderberg apo nga Trilateral Commission apo në çdo rast nga ata që, me një eufemizëm, quhen “Fuqi të forta” globale).

Në substancë, dueli për qeverinë shqiptare reduktohet në garën e zakonshme të filoamerikanizmit, filoeuropianizmit, filoliberizmit ekonomik dhe filoprivatizimit. Si djathtas ashtu edhe majtas është një luftë brrylash e dëshpëruar për t'i treguar zgjedhësve se gëzohet mbështetje nga ambasadat e huaja – ajo amerikane në krye – dhe se do të jenë më të mirët për të përdorur kreditë e institucioneve ndërkombëtare dhe për të ndjekur urdhërat e imponuara nga bota financiare perëndimore. Asnjë zë jashtë kori, asnjë dele heroike dhe trime që del nga tufa. Kritikohen mënyrat dhe subjektet përfitues të privatizimeve, por nuk dënohet dogma e vetë privatizimit, si shitje për dy pare e turpshme dhe poshtëruese e pasurive të Shtetit, dhe pra si dobësimi i vetë konceptit të Shtetit. (Por pastaj të gjithë ankohen se “këtu nuk ka Shtet!”).

Dhe askush nuk guxon një vijë të pavarur në politikën e jashtme: por a është e mundur që të gjithë, por tamam të gjithë politikanët shqiptarë të kenë si objektiv të vetëm integrimin europian, që të gjithë të emocionohen përballë flamurit me yje e vija, dhe se të gjithë janë dakort me intervencionizmin global të Washingtonit? A është e mundur që në një vend me shumicë muslimane – banorët e të cilit nuk shkojnë në xhami, por jetojnë për traditë sipas rregullave të Hadith të Profetit – nuk ka asnjë politikan që të shprehë hapur simpati për vendet arabe (përveç atyre të aprovuara nga SHBA) apo ndoshta për Iranin? A është e mundur që askush nuk ka tundimin për “të ndryshuar kursin” dhe për të kërkuar mbështetjen e Rusisë së Putinit? A është e mundur që askush nuk hedh ide kundër rrymës, për shembull krijimi i një “supershteti” që përfshin tërë gadishullin ballkanik, nga Vojvodina në Greqi, duke u bërë shigjeta e peshores e marrëdhënieve euro-aziatiko-amerikane?

Fatkeqësisht, analistët më realistë dhe objektivë janë ata shqiptarë kritikë e të informuar të cilët, në prag të zgjedhjeve, komentojnë se “nuk ia vlen të votohet as të bëhet tifozeri politike, sepse këtu vendoset gjithçka nga jashtë”. Egërsisht ironikë janë emigrantët e diasporës, të cilët kanë patur mundësinë të eksperimentojnë politikat e vendeve të tjera. Sipas tyre “zgjedhjet në Shqipëri janë vetëm një garë leximi: fiton kush di të lexojë më mirë dhe në mënyrë më bindëse programin e hartuar nga amerikanët”. Por nuk mungojnë edhe analiza më të rafinuara, që vijnë kryesisht nga studentët dhe të diplomuarit në Shkenca Politike apo Marrëdhënie Ndërkombëtare në universitetet e huaja: sipas këtyre të rinjve shqiptarë, do të fitonte zgjedhjet krahu më i aftë për të treguar se grupet e interesit të tij dhe militantët e tij do të dinin të bënin interesat e SHBA më mirë sesa fronti kundërshtar. Pra, në bazë të realpolitik që karakterizon marrëdhëniet e tyre të jashtme, amerikanët do të pranonin logjikën e klientelizmit që sundon në Shqipëri dhe do të toleronin manovrat gri të ndonjë politikani: e rëndësishme është që, duke ndjekur interesat e tyre personale, ata politikanë të favorizojnë edhe objektivat e Washingtonit (dhe sot të Bruxelles). Vox populi, vox dei?

Ja përse PS e Edi Ramës do të mund të fitojë

Duke përjashtuar totalisht që lojrat politike shqiptare zhvillohen brenda vendit dhe duke pranuar me realizëm idenë se sistemet e aleancave, influenca e mediave mbi qytetarët dhe numërimi i votave janë të kushtëzuara nga jashtë, është e mundur që Rama të ketë arsyet e tij konkrete për të përdorur tone triumfaliste dhe për të folur që nga sot si kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë. Në favor të tij janë qoftë një faktor fiziologjik i kohëve të politikës (PD ka qeverisur për dy mandate) qoftë fakti se krahu i shumëfuqishëm “liberal” i Partisë Demokratike amerikane ka investuar për njëzet vjet në formimin dhe në ndërtimin e figurës publike të kryesocialistit aktual.

E fillojmë nga kohët e politikës. Është e qartë se SHBA duan t'i mësojnë (ose t'i imponojnë?) shqiptarëve metodën amerikane, domethënë një alternim qeverisës tetëvjeçar, me dy mandate rresht për të djathtën dhe dy për të majtën, në emër të parimit të stabilitetit politik. SHBA i kanë bërë të kuptohet hapur opozitave shqiptare (përpara PD në periudhën 1997-2005 dhe pastaj PS në vitet 2005-2013) se duhen harruar zgjedhjet e parakohshme, të konsideruara si një tendencë e rrezikshme drejt instabilitetit dhe, në sistemin e demokracisë anglosaksone, janë gjykuar si një simptomë e papjekurisë dhe e tribalizmit politik. Gjaknxehtësia e shqiptarëve dhe e liderëve politikë të tyre duhet të ftohet dhe të gjithë duhet të mësojnë të vazhdojnë ekskluzivisht në rrugë parlamentare dhe demokratike, duke pritur me qetësi shpirtërore dhe me durim heroik afatet zgjedhore.

Skadenca zgjedhore ideale është tetëvjeçare, sepse katër do të ishin pak dhe dymbëdhjetë do të ishin shumë. Katër vite nuk garantojnë as stabilitet të mjaftueshëm për të implementuar reforma dhe programe të diktuara nga FMN, BQE, etj., as nuk i lejojnë militantëve të partisë në pushtet të rifitojnë paratë dhe avantazhet e humbura gjatë tetë viteve të qeverisë së mëparshme. SHBA dhe komuniteti ndërkombëtar e dinë mirë se stabiliteti politik e ekonomik i Shqipërisë bazohet në fenomenin e klientelizmit. Për të çrrënjosur këtë plagë, do të nevojitej rregullimi i konkurrencës dhe reformimi i tërë legjislacionit të punës, duke i garantuar kontrata të hekurta punëtorëve dhe zyrtarëve (sidomos atyre shtetërorë). Por këto masa janë diametralisht të kundërta me teorinë e liberalizimeve dhe kufizimin e të drejtave të punëtorëve të promovuara nga institucionet financiare ndërkombëtare. Pra klientelizmi shqiptar tolerohet: duhet vetëm “të shpërndahet drejtë”, me tetë vite lavdi dhe tetë vite mjerim për çdo krah politik.

Duke zbatuar këtë skemë të rreptë, gjatë legjislaturave të fundit komuniteti ndërkombëtar ka kaluar nën heshtje tragjedi si ajo e Gërdecit dhe e 21 janarit 2011, dhe nuk ka marrë pozicione të prera për hapjen e kutive pas zgjedhjeve të 2009 dhe për numërimin e votave gjatë zgjedhjeve bashkiake të fundit në Tiranë. E gjitha kjo padyshim ka dëmtuar dhe sfilitur figurën e Ramës, duke vendosur në rrezik pozicionin e tij në majat e PS. Në fund të fundit, të vetmet suksese politike të kreut socialist kanë qenë mandati i tij i gjatë si kryetar Bashkie i Tiranës – me të cilin rrezikon të jetë i identifikuar për të gjithë jetën – dhe “rithemelimi” i PS, me synimin kryesor për të fshirë trashëgiminë e Fatos Nanos dhe për të shkarkuar liderin historik nga jeta politike shqiptare (siç konfirmon edhe telenovela e zgjedhjeve presidenciale e muajve të fundit).

Në disa momente është dukur se Rama ishte tashmë një politikan i djegur. Në vitet e fundit, as edhe grupi i websiteve kushtuar Ballkanit dhe të financuara nga Open Society Institute i George Soros – Balkan Insight, Le Courrier des Balkans, South Eastern Times, Osservatorio Balcani – nuk i ka rezervuar vëmendje të veçantë tensioneve politike në Shqipëri. Dukej se mbështetësit tradicionalë të Ramës – mediat dhe OJQ-të e krahut “liberal” të Partisë Demokratike amerikane – ishin duke e braktisur, duke e kritikuar si Berishën, pra si një “gjenerues konfliktesh”, dhe duke e akuzuar se përfaqëson “politikën e vjetër shqiptare”. Por në muajt e fundit diçka ka ndryshuar dhe Rama duket se po rimerr forcat për t'u përgatitur për kalërimin zgjedhor…

A është lideri socialist “too big to fail”?

Në politikën globale postkomuniste, partitë e majtajanë detyruar të ndryshojnë shpesh kryetarë, për të treguar që kanë lënë pas logjikat totalitare të kryetarit të përjetshëm. Të majtat europiane nuk kanë më figura të cilat mund t'i hyjnë në zemër njerëzve, dhe humbin edhe për këtë arsye. Qendrat e politikës globale diktojnë ndërrim të kryetarëve “përdor dhe hidh”, duke çorientuar votuesit. Politika duket si Big Brother, ku duhen ndryshuar vit për vit personazhet për të mos mërzitur publikun dhe partitë trajtohen si skuadra futbolli, ku futbollistët plaken shpejt dhe i lënë vendin më të rinjve: duhet dashuruar skuadra, jo anëtarët e saj apo trajnerët e saj. Sipas kësaj logjike, ka mundësi që vitin e kaluar think-tank amerikanë kanë provuar të krijojnë një lider socialist të ri për ta prezantuar në zgjedhjet e 2013 në vend të Ramës, por pas meteorit Erion Veliaj nuk kanë dalluar asnjë personazh të përshtatshëm për qëllimin. E tregon fakti se kërcënimi më konkret kundër lidershipit të Ramës është gjithmonë veterani Nano, të cilit megjithatë “liberalët” amerikanë nuk i kanë falur kurrë as moshën as formimin politik brenda Partisë së Punës shqiptare.

Përkundrazi, Rama ka avantazhin të jetë “i virgjër” ndaj të kaluarës komuniste të Shqipërisë, madje, në 1992 firmosi me të shkretin Ardian Klosi pamfletin antikomunist “Refleksion”, që i hapi portën e bordit drejtues të Open Society Foundation. Që nga atëherë karriera e tij – sidomos mediatike – qe e gjitha në ngjitje. U bë maska e gjakut që simbolizonte dhunën e Berishës pas zgjedhjeve të 1996; Nano qe detyruar (nga Soros) ta emëronte ministër i kulturës në 1998; dhe në 2000, në prag të triumfit të tij si kryebashkiak i Tiranës, një kongres i Partisë Radikale Transnacionale (edhe kjo e financuar zyrtarisht nga Soros) lavdëroi figurën e tij. Që nga ai moment pati vetëm suksese, nga pallatet e ngjyrosura tek zgjedhja virtuale si kryebashkiaku më i mirë në botë, nga “Hero europian” i 2005 sipas revistës prestigjoze amerikane “Time Magazine” tek marrja e lidershipit të PS. Tani mungon vetëm zgjedhja si kryeministër, që do të ishte kurorëzimi i denjë i njëzet viteve të “visibility” politike – dhe i investimeve amerikane.

Për ta thënë pikërisht alla amerikançe, Rama duket “too big to fail” (“tepër i madh për të falimentuar”, shprehje që përdoret për të treguar bankat, industritë dhe kombet, si Italia dhe Spanja, falimentimi i të cilave do të sillte dëme aq të mëdha sa duhet evituar me çdo kusht). Rama i përket atij brezi liderësh të së majtës postkomuniste të Ballkanit të formuar e financuar nga Soros, një “kapital njerëzor” i krijuar për të fituar. Nga Viktor Orban në Hungari tek Stefan Sofijanski dhe Ivan Kostov në Bullgari, nga Zoran Djindjić dhe Boris Tadić në Serbi tek Branko Crvenkovski në Maqedoni dhe tek Victor Ponta në Rumani, të gjithë këta politikanë të edukuar me shkollën e “të drejtave të njeriut” dhe me ekuacionin e Hayek “demokraci = treg i lirë” paraqiten me tipare të ngjashme: Sofijanski dhe Djindjić kanë qenë kryebashkiakë të kryeqyteteve të tyre (Sofia dhe Beograd), ndërsa të tjerët kanë qenë liderë të partive “socialdemokratike” vendore përpara se të arrinin në udhëheqjen e vendeve të tyre. Nëse Rama nuk do të bëhet kryeministri i Shqipërisë, do të ishte një rast në të vërtetë i veçantë dhe i pafat mes “burimeve njerëzore” amerikane në Ballkan.

Por natyrisht gjithçka varet nga rezultati i zgjedhjeve amerikane të nëntorit të ardhshëm. Nëse Barack Obama do të rikonfirmohej në Shtëpinë e Bardhë, atëherë ka shumë të ngjarë se do të favorizojë fitoren e socialistëve në Shqipëri, ndërsa nëse do t'ia dilte Mitt Romney, është e mundur që republikanët të preferojnë mbështetjen për PD (siç bëri George Bush në 2005), nisur nga fakti se Berisha është tashmë një pikë referimi e qëndrueshme për interesat amerikane, ndërsa Rama nuk ka eksperiencë në politikën kombëtare dhe as në atë të jashtme. Por në këtë mënyrë do të zgjatej tepër periudha e pushtetit të demokratëve dhe kjo mund të shkaktojë ç'ekuilibrime sociale… Pra, një dilemë që vetëm koha dhe zhvillimet politiko-ekonomike ndërkombëtare do të ndihmojnë për ta zgjidhur. Për tani, May the best man win!



 

Edi Rama mund të ketë arsye konkrete për të folur që nga sot si kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë. Në favor të tij janë qoftë kohët e politikës (PD ka qeverisur për dy mandate) qoftë fakti se krahu “liberal” i Partisë Demokratike amerikane ka investuar për njëzet vjet në ndërtimin e figurës publike të kryesocialistit aktual. Gjithçka varet nga rezultati i zgjedhjeve në SHBA: nëse Barack Obama do të rikonfirmohej, atëherë ka shumë të ngjarë se do të favorizojë fitoren e socialistëve në Shqipëri, ndërsa nëse do t'ia dilte Mitt Romney, është e mundur që republikanët të mbështesin PD, siç bëri George Bush në 2005…