1 maj 2015 – 20-vjeçarja Jenny Gisby nga Nottingham-i, vuan nga një çrregullim neurologjik dhe çdo mëngjes kur zgjohet nuk njeh se kush është i dashuri i saj apo prindërit. Momenti kur ajo filloi të harronte daton në nëntor të vitit të kaluar, kur mbeti pa ndjenja gjatë kohës që ishte në punë.

Për këtë arsye, ajo ka vendosur që të mbajë një album me foto dhe përshkrime që i kujton çdo ditë se kush janë personat që do të takojë.

“Në fillim, kur zgjohesha në mëngjes isha shumë nervoze sepse personat rreth meje ishin të panjohur. Pastaj, vendosa që të mbaj këtë album sepse më ndihmon shumë. Më duket sikur bie në dashuri çdo ditë kur shoh fotot çfarë kemi kaluar bashkë me Stuart-in, të dashurin tim”, rrëfen 20-vjeçarja.

Sipas mjekëve ky çrregullim ka nisur që në moshën 10-vjeçare, por me kalimin e viteve ajo është rënduar. 

Tabloidi britanik "The Mirror", shkruan se i dashuri saj Stuart Balmforth thotë që e do shumë Jenny-n, pavarësisht sëmundjes së saj. Sipas tij, është e vërtetë që dashuria triumfon mbi gjithçka.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/